Site icon Telegrafi

Indiferenca ndaj së keqes, një krim që na zvogëlon çdo ditë!

“… Indiferenca mund të jetë tunduese, madje më shumë se kaq, joshëse. Është shumë më e lehtë të mos i hedhësh sytë nga viktimat. Është shumë më e lehtë të shmangim ndërprerje të tilla të vrazhda në punën tonë, në ëndrrat tona, në shpresat tona. Në fund të fundit, është e sikletshme, e mundimshme, të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e një personi tjetër. Megjithatë, për personin që është indiferent, fqinji i tij/saj nuk ka asnjë rëndësi. Dhe, për këtë arsye, jeta e tyre është e pakuptimtë. Ankthi i tyre i fshehtë, apo edhe i dukshëm nuk paraqet interes. Indiferenca e redukton Tjetrin në një abstraksion”.

Këto janë fjalët e nobelistit të paqes, të mbijetuarit të Holokaustit, Eliezer “Elie” Wiesel, mbajtur më 12 prill 1999 në Shtëpinë e Bardhë. Një fjalim i drejtpërdrejtë i një të mbijetuari që vijoi për sa qe gjallë të fliste kundër të gjithë atyre që mjegullohen në jetën e tyre midis dritës dhe errësirës, muzgut dhe agimit, krimit dhe dënimit, mizorisë dhe dhembshurisë, së mirës dhe së keqes, dhe duan të jetojnë në indiferencë pa guxuar të tregojnë të keqen me gishtin tregues, me emër. Madje, të dhënë pas indiferencës, të mbuluar prej frikës se mos u prishet ajo që kanë arritur në jetë, shumë nga ata që paguhen për të shkruar e rrëfyer rrugëtimin e duhur të shoqërisë, ata që duan të marrin meritën e intelektualit, në vend të kurajës për të denoncuar të keqen, zgjedhin heshtjen edhe kur e shohin me sytë e tyre se është e padrejtë, se është shkelje dinjiteti.

Por, cilat janë rrjedhat dhe pasojat e pashmangshme të indiferencës?

Pasoja e parë është lënia e një rruge të lirë ndaj asaj që njihet sot si “investim në politikën e mosbesimit”. Si pasojë e indiferencës së shumë qytetarëve, e sidomos intelektualëve, ndaj shkelësve të ligjit, ndaj vjedhësve, ndaj atyre që krenohen se kanë mundur të grabisin tjetrin, ne kemi sot një shoqëri që beson gjithnjë e më pak në vlerat e demokracisë dhe se kërkon një rrugëtim gjithnjë e më larg nga vendlindja.

Nga kjo indiferencë kemi sot një shumicë që as nuk mund të dërgojë nëpër mend se mund t’i kërkojë llogari kryeministrit, siç kemi edhe grupime politike jo në qeverisje që mbajnë sërish të njëjtën gjendje të pashpresë, pasi vijojnë të besojnë se i forti ka përparësi mbi të drejtin, duke legjitimuar këdo që përmes forcës po arrin të mbajë nën dhunë shoqërinë. Sepse, në thelb, indiferenca mbjell veç dekurajim. Madje, indiferenca shpesh është edhe më me pasoja se sa gjuha e zemërimit, se sa gjuha e urrejtjes, pasi indiferenca e dërgon tjetrin drejt “hiçit”. Indiferenca është asgjësim i të menduarit për atë që ndodh rreth nesh dhe si e tillë ajo na zvogëlon çdo ditë, na bën që të shohim më pak, të ndjejmë më pak dhe të kemi ndikim gjithnjë e më pak që të ndalojmë të keqen të bëhet normale në jetët tona.

“Vendet me të nxehta ne Ferr janë të rezervuara për ata që ruajnë neutralitetin e tyre në momente të një krize të madhe morale”, shkruante Dante Aligeri. Një shprehje e shkruar kur shumë nga debatet e sotme mbi pushtetin e madh të mosbesimit ndaj vlerave të demokracisë, të mosbesimit ndaj trashëgimisë së vlerave kulturore dhe ndaj traditës, as që mendoheshin.

Shpesh, përgjegjësia i është kërkuar elitës intelektuale, duke nënkuptuar me elitë njerëzit e shkolluar, akademikët, profesorët, shkrimtarët e gazetarët, mjekët e njohur, inxhinierë e ekonomistë me përvojë apo dhe shumë të tjerë me tituj në fushat e tyre. Por, a mundet intelektuali, nëse ndjehet i tillë, të heshtë përpara rrezikut që i kërcënohet shoqërisë? A mund të jetë intelektual një njeri që sheh veç interesin e tij dhe nuk arrin dot të shohë tjetrin, të mendojë përtej interesit të tij personal?

Prej kohësh në Shqipëri është ngritur problematika e qëndrimeve indiferente në gjirin e intelektualëve edhe kur shikojnë si lëkunden vlerat e shoqërisë apo shtyllat e demokracisë, edhe kur të zgjedhurit shpërfillin ligjin. Shumë nga ata që janë pjesë e qeverisjes, apo edhe shumë nga ata që besojnë se janë forca për të ardhmen politike, nuk i sheh më të mbajnë qëndrime kundër atyre që krenohen se janë “të fortë” apo se mund të blejnë këdo me para, duke nënkuptuar këtu vetëm forcën apo çmimin e gjithçkaje, por jo arsyen dhe të drejtën. Kjo indiferencë e këtyre njerëzve është bashkëfajësia që ne duhet t’i vëmë emër, duke pranuar me zë të lartë se, heshtja përballë të keqes është krim- një krim që nuk lëndon thjesht një qytetar, por një shoqëri.

 

Exit mobile version