Telegrafi

Incidenti në aeroportin e Shkupit, Kurti: Përvojë e rëndë për presidenten Osmani, do të ketë raport që do ta zbardhë këtë çështje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke qëndruar në një viztë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Kurti ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ndërsa pas takimit ata u prononcuan për media, transmeton Telegrafi.

Kryeministri i Kosovës, deklaroi se në takim janë diskutuar disa tema me rëndësi për të dyja shtetet.

“Kishim një mori çështje e tema që diskutuam që janë për të mirën e dyanshme e të përbashkët. Kosova dhe Maqedonia kanë marrëdhënie të mira bilaterale, bazuar në vlera të përbashkëta me synim të qartë për integrim evropian. Urojmë që sa më shpejtë t’i fillojmë negociatat për në BE”, tha Kurti.

Para mediave, kryeministri tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë bashkëpunim bilateral në të gjitha fushat, derisa shtoi së janë rritur edhe shkëmbimet tregtare mes dy vendeve.

“Shkëmbimi tregtar është rritur në gjysmë miliardi euro, dhe në këtë bashkëpunim ka investime reciproke në të dyja vendet”, pohoi ai.

Gjithashtu, Kurti tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është edhe në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kurti po ashtu ka folur edhe për incidentin që i ka ndodhur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.

Ai tha se ka qenë përvojë e rëndë që ka përjetuar Osmani.

“Pa dyshim ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes Vjosa Osmani, me dy gusht në aeroportin e Shkupit, ka qenë me familje dhe me dy vajza të vogla. Autoritet e Maqedonisë së Veriut, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, potencoi ai.

Kurti tha se lidhur me rastin po merren masat./Telegrafi/