Site icon Telegrafi

Imami Maliqi takohet me ambasadorin britanik, bisedojnë mbi vlerat e përbashkëta të respektit dhe harmonisë – i dhuron një plis dhe shami

Imami, Labinot Maliqi sot ka pritur në një takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, Jonathan Hargreaves me të cilin ka biseduar rreth disa çështjeve si dhe duke ndarë mendim mbi vlerat e përbashkëta të respektit, harmonisë dhe bashkëpunimit.

Maliqi këtë e bëri të ditur në një postim të tij në rrjetin socia Facebook, duke shkruar se në shenjë simbolike të trashëgimisë dhe identitetit kombëtar, i ka dhuruar ambasadorit dy nga simbolet më të rëndësishme të kulturës shqiptare, plisin dhe shaminë.

“Sot pata kënaqësinë dhe nderin e veçantë të mirëpres në xhaminë tonë ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Gjatë takimit tonë, diskutuam një gamë të gjerë çështjesh me rëndësi, duke ndarë mendime mbi vlerat e përbashkëta të respektit, harmonisë dhe bashkëpunimit.

Në shenjë simbolike të trashëgimisë dhe identitetit tonë kombëtar, i dhurova Ambasadorit të nderuar dy nga simbolet më të rëndësishme të kulturës sonë shqiptare, Plisin dhe Shaminë. Plisi, si një shenjë e dinjitetit, qëndresës dhe krenarisë kombëtare, dhe Shamia, si një simbol i modestisë, besimit dhe traditës shqiptare, të cilat përfaqësojnë vlerat e thella që populli ynë i ka bartuar ndër shekuj”, ka shkruar ai.

Tutje ai tha se i ka shprehur mirënjohje për këtë vizitë duke e falënderuar për ndihmën e mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës në proceset e çlirimit, shpalljes së pavarësisë, demokratizimit, zhvillimit të brendshëm dhe integrimit ndërkombëtar. /Telegrafi/

Exit mobile version