Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme (e enjte) ndaj Sivassporit në kuadër të Ligës së Konferencës.
Ballkani është nikoqir i Sivassporit në takimin e katërt të vlefshëm për Grupin G, takim që zhvillohet nga ora 21:00 në stadiumin Fadil Vokrri.
Për këtë ndeshje ka folur trajneri i therandasve, Ilir Daja, i cili beson se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por jo e pamundur për të marrë rezultat pozitiv.
“Mendoj se sa më larg që jemi, aq më të vështira bëhen gjërat. Por, sigurisht me mbështetjen e të gjithëve, besojmë se do të bëhet paksa më e lehtë ndeshje ndaj Sivassporit me mbushjen e stadiumit”, ka thënë fillimisht Daja në konferencë.
“Kjo do të thotë se përgjegjësia për ne është më e madhe. Të gjithë i kemi nga katër pikë dhe tregon se grupi aspak nuk është i lehtë. Mendojmë se jemi gati, por në ndeshjen e nesërme duhet të bëjmë akoma më shumë se në javën e shkuar për të arritur atë që duam”.
“Ne po japim më të mirën sepse po fitojmë përvojë në këtë nivel. Do të jetë edhe më e vështirë se ajo në Sivas, pasi ata vijnë pas fitores që e kanë arritur në kampionat. Ata do të vijnë për t’u revanshuar dhe kanë përvojë më shumë se ne se bashku me kundërshtarët tjerë”.
“Nëse duam të shkojmë atje ku duan të gjithë tifozët në Kosovë, duhet të luajmë edhe më fort, mos të dorëzohemi. Do të jetë shumë më e fortë se ndeshja e kaluar”, përfundoi trajneri i Ballkanit. /Telegrafi/