Site icon Telegrafi

ILD kërkon shkarkimin e kryetares së Gjykatës së Elbasanit, Enkeleda Kapedani

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë në Shqipëri ka depozituar këtë pasdite në Këshillin e Lartë Gjyqësor kërkesën për pezullimin dhe shkarkimin nga detyra të kryetares së komanduar të Gjykatës së Elbasanit znj. Enkeleda Kapedani.

Kërkesa është bërë pasi sipas ILD, veprimet e Kapedanit diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit.

Euronews Albania raporton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë arsyeton se gjyqtarja Kapedani ka shkelur Kushtetutën, Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe Kodin e Etikës Gjyqësore në pikat e integritetit dhe sjelljes së hijshme dhe me vetëpërmbajtje.

Hetimi disiplinor ishte urdhëruar nga kryetari i ILD-së Artur Metani për aktivitetin e gjyqtares Kapedani në rrjetin social Tik Tok. Video “selfie” të postuara prej gjyqtares në mjediset e gjykatës, të shoqëruara me muzikë të papërshtatshme, janë rrjedhur në media duke ngjallur mjaft reagime për thyerje të Kodit të Etikës.

Në raportin e detajuar të ILD të përgatitur nga katër inspektorë, thuhet se qëndrojnë shkeljet e sipërpërmendura ndaj propozohet masa disiplinore “shkarkim nga detyra”.

Pritet që Këshilli i Lartë Gjyqësor të mblidhet brenda tre ditëve për të shqyrtuar kërkesën e Inspektoriatit të Drejtësisë për të marrë një vendim mbi këtë kërkesë.

Exit mobile version