Parashkrimi i numrit të madh të lëndëve, vazhdon të jetë sfida kryesore në sistemin e drejtësisë. Këtë e theksoi hulumtuesi i lartë ligjor në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lavdim Makshana, gjatë prezantimit të raportit “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”, në konferencën e organizuar në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit.
Makshana tha se ketë vit janë parashkruar pesë raste të korrupsionit, dëmi në të cilat kalon vlerën prej 142 mijë e 817 euro. Mirëpo, ai shtoi se kjo vlerë është llogaritur vetëm për dy raste, ndërsa për tri raste nuk është llogaritur, pasi Prokuroria nuk e ka përcaktuar dëmin e pretenduar në aktakuzë.
Ai theksoi se IKD-ja kishte paralajmëruar se në 2023, parashkruheshin 18 raste me 24 të akuzuar, e çka sipas tij, ky paralajmërim kishte bërë që KGJK të kërkonte që rastet e korrupsionit të trajtohen me prioritet.
Hulumtuesi i IKD-së, theksoi se në vitin 2024 rrezikojnë të parashkruhen rastet e 20 të akuzuarve, e që përfshijnë 14 raste gjyqësore, shkruan Betimi për Drejtësi.
“Dëmi i kalkuluar sipas aktakuzave të Prokurorive, rezulton të jetë 582 mijë e 872 euro e 87 centë. Parashkrimi siç duket do të jetë problem edhe në vitet pasuese, pasi në tri vitet e ardhshme ka rrezik potencial që të parashkruhen rastet e afro 100 të akuzuarve”, u shpreh Makshana.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), të mërkurën organizoi tryezën ku u prezantuan raportet me tituj “Ndjekja dhe gjykimi i korrupsionit” dhe “Amnistimi i kriminalitetit përmes parashkrimit”, raporte këto që janë si rezultat i monitorimit sistematik që IKD i bën sistemit të drejtësisë.
Këto raporte publikohen në kuadër të “Javës Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë kundër korrupsionit”.