Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka dënuar fuqishëm sulmin fizik ndaj gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri, Rifat Bllata.
IKD reagon për këtë rast dhe rastet e tjera të dhunës së ushtruar ndaj bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale, kur ato ndërlidhen me punët e tyre zyrtare, transmeton Telegrafi.
Në reagimin e bërë nga IKD thuhet se, të gjitha pakënaqësitë eventuale të të gjitha palëve në procedurë, duhet të adresohen përmes rrugës ligjore dhe vetëgjyqësia në këto raste është e papranueshme dhe ndikon në pavarësinë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke paraqitur kërcënim të drejtpërdrejt dhe ndërhyrje në punën e gjykatësit, transmeton Telegrafi.
IKD kërkon që ky rast i sulmit ndaj gjykatësit mbikëqyrës Rifat Bllata të trajtohet me prioritet nga të gjitha organet kompetente, dhe sulmuesi do të nxirret shumë shpejt para organeve të drejtësisë.
“Vetëm duke pasur funksionim të mirëfilltë të sistemit të drejtësisë, sistemit gjyqësor dhe prokurorial, duke qenë të mbrojtur nga të gjitha sulmet, kërcënimet dhe ndikimet, bartësit e funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale mund të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.
Në këtë drejtim, IKD kërkon prej KGJK-së dhe KPK-së që të mbrojnë gjykatësit dhe prokurorët në të gjitha rastet e sulmeve fizike dhe kërcënimeve të kësaj natyre, për t’iu mundësuar gjykatësve dhe prokurorëve përmbushjen e misionit të tyre./Telegrafi/