Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq ka pësuar lëndime në një festë në Zveçan.
Siç merr vesh Telegrafi, Simiq kishte qenë i ftuar në një event të organizuar nga reparti i Kardiologjisë dhe Internos i spitalit në veri të Mitrovicës.
Simiq ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me këtë rast, Telegrafi ka kontaktuar edhe me zëvendës drejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës veriore, Veton Elshani.
Elshani ka bërë të ditur se një person ka thyer një gotë xhamat e së cilës e kanë lënduar një person tjetër.
Sipas tij, ende nuk ka rast të hapur por siç u shpreh Elshani janë duke u marr me intervistimin e personave të involvuar.
“Sipas informacioneve që ne kemi mbrëmë gjatë festimit në një lokal në Zveçan, një person e ka thy një gotë dhe xhamat e asaj gote e kanë lëndu një person.
Nuk kemi rast të hapur deri më tani dhe jemi duke u marrë me intervistim të personave të involvuar”, ka thënë Elshani.. /Telegrafi/