Në pritje të Topit të Artë, ku ai duket favoriti kryesor, Luka Modric mori një tjetër çmim të rëndësishëm.
Sipas Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në futboll, ose IFFHS kroati është lojtari më i mirë në vitin 2018.
Mesfushori i Realit të Madridit e fitoi këtë çmim duke lënë pas krahëve Lionel Messin dhe Eden Hazard, me jurinë që përbëhej nga 90 ekspertë nga e gjithë bota.
Modric fitoi me 272 pikë, Messi mori 144 dhe Hazard 114. Ylli portugez i Juventus, Cristiano Ronaldo, u rendit në vendin e 10-të, përcjell Supersport.
Thibaut Courtois u shpall më i miri për sa i përket portierëve, me 181 pikë të grumbulluara, përpara Hugo Lloris dhe legjendës italiane Gianluigi Buffon, i cili kishte fituar vitin e kaluar.
Për sa i përket trajnerëve të klubeve, Liga e Kampionëve e tretë radhazi ndihmoi Zinedine Zidane të jetë në vendin e parë me 296 pikë, duke lënë pas krahëve me një diferencë të madhe Jurgen Klopp me 109 pikë dhe Pep Guardiola me 105.
Vetëm vendi i pestë për Massimilliano Allegrin e Juventus, ndërkohë Di Francesco i Romës u rendit i teti, pasi çoi Romën e tij në gjysmëfinale.
Tek trajnerët e Kombëtareve, dukej e sigurt fitorja e Didier Deschamps, i cili udhëhoqi Francën e tij në fitimin e Kupës së Botës në Rusi.
Në vendin e dytë, u rendit kroati Zlatko Dalic, ndërkohë Roberto Martinez plotësoi podiumin.