Federata ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave në Futboll (IFFHS), ka publikuar renditjen e 10 trajnerëve më të mirë të shekullit të 21-të, duke marrë për bazë periudhën nga viti 2000 deri tani.
Në krye të listës së 10 më të mirëve qëndron trajneri portugez i Tottenhamit, Jose Mourinho, i cili është shpallur katër herë trajneri i vitit dhe ka qenë për 16 vite të tjera në 10-shen e trajnerëve më të mirë të vitit.
Pikërisht për këtë arsye portugezi u pozicionua i pari me 226 pikë, i ndjekur nga trajneri i kombëtares gjermane Joakim Low, i cili ka fituar dy herë trofeun e trajnerit më të mirë të vitit dhe grumbulloi 213 pikë.
Ish trajneri historik i Manchester United, Sir Alex Ferguson dhe ai aktual i Manchester Cityt, Pep Guardiola janë pozicionuar në vendin e tretë me nga 183 pikë secili, të ndjekur nga Arsene Wenger me 181 pikë.
Renditja kompletohet nga emra si Carlo Ancelotti, Vincente Del Bosque, Diego Simeone, Didier Deschamps dhe Marcelo Bielsa.
Vlen të theksohet se nuk janë përfshirë në 10-shen më të mirë të shekullit të 21-të emrat e Jurgen Klopp dhe Zinedine Zidane, që kanë fituar jo pak gjatë viteve të fundit. /Telegrafi/