Rregullorja e Garave e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) i obligon skuadrat që në ndeshjet kampionale t’i ftojnë të paktën nga dy lojtarë të rinj, nën 20 vjeç.
Neni 49 i kësaj Rregulloreje i obligon ekipet që në formacionin startues ta kenë të paktën nga një lojtar nën 20 vjeç dhe potencon se skuadrat që nuk e përfillin këtë rregull do ta humbasin ndeshjen me rezultat zyrtar (3:0). Ky rregull ishte fuqizuar me qëllim që t’u jepet hapësirë lojtarëve të rinj, që konsiderohen edhe shpresa të Kosovës. Por, tani klubet kanë nisur që këtë nen ta respektojnë përmes lojtarëve të huaj, pasi Rregullorja nuk specifikon nëse kjo është veç për vendorë apo për edhe të huaj. FFK-ja ka thënë se pas përfundimit të këtij sezoni do ta precizojë domethënien e këtij neni.
Trajneri Fetah Veliu, e këshillon shtëpinë e futbollit që ta shqyrtojë mundësinë që përmes këtij neni t’i obligojë klubet që në ndeshjet kampionale t’i ftojnë në skuadër nga katër lojtarë nën 20 vjeç, shtetas të Kosovës, e jo vetëm nga dy sa janë aktualisht. Sipas tij, një rregull i tillë më vonë do të jepte fryte shumë të favorshme për futbollin kosovar.
“Mendoj se në 18-she duhet të ketë katër lojtarë nën 20 vjeç, pasi duhet t’ua japim rastin lojtarëve vendorë, të nxjerrim produkt vendor”, ka thënë për “Zërin” autori i librave të futbollit. Ai thekson se tani kur të huajt kanë filluar ta vërshojnë Kosovën, e ardhmja e futbollit tonë është në rrezik. “Nëse nuk ua japim rastin vendorëve, sidomos lojtarëve tanë të rinj e të talentuar, atëherë ata do të humbin, do të shuhen”, nënvizoi Veliu.
Edhe përzgjedhësi i ekipit U-21 të Kosovës, Rafet Prekazi, i ka këshilluar klubet kosovare t’u japin hapësirë sa më të madhe të rinjve, në mënyrë që të përgatiten me kohë për Përfaqësuese.
Siç dihet, para pak javësh Përfaqësuesja U-21 e Kosovës mori pjesë në një turne ndërkombëtar në Antalya të Turqisë, ku nuk ka arritur ta shënojë asnjë fitore, duke humbur dy herë dhe duke barazuar tri herë. Në pesë ndeshje të zhvilluara ndaj Bahrejnit, Ukrainës, Arabisë Saudite, Iranit U-19 dhe Shqipërisë, të rinjtë e Kosovës e kishin shënuar veç një gol, edhe atë ndaj kuqezinjve. Këto ndeshje të shpresave të Kosovës i kishte përcjellë nga afër edhe përzgjedhësi Albert Bunjaku, i cili kishte thënë se të rinjtë kosovarë nuk e kishin bindur në atë turne dhe kishte theksuar se kualiteti i tyre është larg kërkesës së tij, por edhe larg asaj që e kërkon një reprezentacion ambicioz, çfarë po mundohet ta bëjë ai tash e disa vite. Siç dihet, deri më tani prioritet i Albert Bunjakut ka qenë grupi i lojtarëve kosovarë që bëjnë karrierë jashtë vendit.