Kolagjeni është bërë pjesë e gjithçkaje, nga produktet e kujdesit për lëkurën deri te kafeja e mëngjesit. Si një proteinë e rëndësishme që gjendet në lëkurë, flokë, thonj, kocka dhe muskuj, kolagjeni thuhet se ndihmon në përmirësimin e elasticitetit dhe volumit të lëkurës
Procesi natyror i plakjes, dëmtimet nga dielli dhe faktorët e stilit të jetesës, si duhani dhe dieta, mund të ndikojnë në nivelet e kolagjenit. Prandaj, suplementet dhe pijet me kolagjen, janë bërë shumë të famshme.
Megjithatë, ka ende dyshime nëse këto funksionojnë.
Laura Dowling, farmaciste e specializuar në shëndetin e grave, përmend një studim nga viti 2019 që “gjeti prova shumë të mira për të mbështetur përdorimin e suplementeve orale të kolagjenit për përmirësimin e shëndetit të lëkurës”.
Ndërkohë, Dr. Yannis Alexandrides, themelues i klinikës “111 Harley St” thotë: “Suplementet e kolagjenit nuk janë provuar ende se përmirësojnë cilësinë e lëkurës. Kërkimet e mëtejshme janë të nevojshme.”
Pra, cilat këshilla duhet të ndjekësh?
Dowling thotë: “Njerëzit vijnë në farmaci dhe blejnë produkte kolagjeni pasi raportojnë se lëkura e tyre është bërë më e butë dhe më pak e thatë.”
A është e sigurt marrja e tyre?
Dowling thotë: “Efekti anësor më i zakonshëm mund të jenë problemet me tretjen, por në përgjithësi tolerohen mirë nga stomaku.”
Nëse çmimi i lartë ju shqetëson, mund të rrisni marrjen e kolagjenit përmes ushqimeve të pasura me të, si lëngu i kockave, peshku dhe të bardhat e vezëve.
Morali i historisë? Si për çdo suplement, efektet mund të ndryshojnë nga personi në person. Por nëse mendon se ia vlen të provosh, duhet të konsultohesh gjithmonë me një profesionist përpara se të fillosh një regjim me suplemente të kolagjenit.
Pra, mos beso lart e poshtë nëpër reklama, por konsultohu me profesionistët. /Telegrafi/