Hungaria konfirmoi të martën se “do të bllokojë” një hua prej 35 miliardë eurosh që Komisioni Evropian ka propozuar për të mbështetur ekonominë e shkatërruar nga lufta të Ukrainës derisa Shtetet e Bashkuara të zgjedhin presidentin e saj të ardhshëm më 5 nëntor.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Hungarinë, e cila ka fituar një “reputacion” për bllokimin e sanksioneve ndaj Rusisë.
Ndërsa shumica e shteteve anëtare bien dakord për nevojën për të lëvizur shpejt me kredinë shumë-miliardëshe, duke pasur parasysh shqetësimin financiar të Ukrainës, Hungaria duket se nuk ka nxitim: për Budapestin, ndryshimi kryesor i regjimit të sanksioneve duhet të presë deri më 5 nëntor.
Miratimi i kredisë kërkon shumicë të cilësuar, por ndryshimi i sanksioneve kërkon unanimitet, theksojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Ne besojmë se kjo çështje duhet të vendoset – zgjatja e sanksioneve ruse – pas zgjedhjeve të SHBA-së. Ky ishte qëndrimi hungarez”, tha të martën Mihály Varga, ministri i financave i Hungarisë, pas një takimi ministror në Luksemburg.
Varga argumentoi se dy kandidatët presidencialë – Kamala Harris dhe Donald Trump – mbrojnë dy qasje të kundërta për t’u marrë me luftën e Rusisë dhe se blloku duhet të bazojë hapat e tij të ardhshëm në varësi të kë do të zgjedhë populli amerikan.
Kujtojmë se kryeministri hungarez Viktor Orbán nuk e ka fshehur preferencën e tij për kandidaturën e Donald Trump.
Ministri theksoi se homologët e tij kishin pasur një “bisedë të shkëlqyeshme” për kredinë prej 35 miliardë eurosh, por se “natyrisht, duhet të presim deri në nëntor”.
Debati rreth kredisë do të vazhdojë të mërkurën gjatë një takimi të ambasadorëve të BE-së në Bruksel.
Hungaria aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së dhe ka për detyrë të moderojë seancën. /Telegrafi/