Site icon Telegrafi

Humolli me kritika të ashpra për Qeverinë: Po e rrezikon stabilitetin e vendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli vazhdon të jetë kritik ndaj këtij subjekti politik dhe qeverisjes së vendit, kësaj radhe lidhur me situatën pas grevave në vend. 

Humolli i cili disa herë ka paralajmëruar largim nga VV-ja për shkak të pakënaqësive, ka akuzuar këtë parti se po rrezikon stabilitetin e vendit.

Ai në një prononcim për Telegrafin ka thënë se partia në pushtet e ka futur vendin në konflikt me të gjitha kategoritë shoqërore.

“Nuk është duke ndryshuar realiteti që ta ndryshoj unë pikëpamjen time. Realiteti është në atë gjendje që e përforcon atë që kam thënë unë. Po shpresoj që do të ndryshojë për të mirë”.

“VV-ja na ka futur në konflikt me të gjitha kategoritë shoqërore. Pra, me mësimdhënësit, veteranët e luftës e me të gjithë administratën e shtetit e tash shteti është në konflikt me punëtorët e vet. Kjo parti po e rrezikon stabilitetin e vendit”, është shprehur ai.

Tutje, ka thënë se derisa Kosova e ka rrezikun “te dera” me Serbinë, Qeveria po merret me disa çështje që ka mundur shumë lehtë t’i rregullojë.

“Kam përshtypjen që Qeveria është bërë shumë burokrate dhe nuk po e sheh realitetin objektivisht se si po zhvillohet. Jam shumë i bindur që nëse pyeten deputetët e VV-së në mënyrë individuale, shumica janë të pakënaqur me gjendjen aktuale dhe vendimet e ekzekutivit. Por, kjo është kur deputetët harrojnë se çka iu kanë thënë qytetarëve”.

Humolli mes tjerash ka bërë të ditur se në vitin e parë të qeverisjes të gjitha vërejtjet dhe kërkesat i ka adresuar brenda Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, por sipas tij, duke qenë se gjendja nuk ka ndryshuar, atëherë ka vendosur që t’i bëjë publike.

“Vërejtjet e mija janë publike këtë vit në funksion të vetëdijesimit edhe të qytetarëve edhe të Qeverisë”, është shprehur ai.

Ndryshe, deputeti Humolli më parë ka paralajmëruar edhe rrëzim të Qeverisë Kurti, nëse nuk ndryshon qasje.

“Nëse vazhdon kjo ngathtësi e Qeverisë për të përmbushur zotimet elektorale, duhet të bëhen ndryshime qeveritare. Unë për vete pa këto ndryshime nuk mund të qëndroj brenda grupit të LVV-së, pasi nuk po realizohen asnjëra nga kërkesat e mia personale për çfarë unë jam futur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje”, pati thënë ai në “Debat Plus” në RTV Dukagjini. /Telegrafi/

Exit mobile version