Site icon Telegrafi

Humbja dhe gjetja e mostrave të Deharit, Tahiri pyet Kurtin, Konjfucën dhe Haxhiun: Për çfarë qëllimi u vodhën nga IML-ja?

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka ngritur dyshime mbi rastin e zhdukjes dhe pastaj gjetjes së mostrave të Astrit Deharit.

Në një konferencë për media, Tahiri ka ftuar edhe Prokurorinë Speciale të ndërmarrë veprimet e menjëhershme për të vënë para përgjegjësisë secilin zyrtar shtetëror që ka gisht në zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit në kthimin e pjesshëm dhe përfundimtar të tyre.

“Më 29 mars 2024 opinioni u njoftua për gjetjen e mostrave të Astrit Deharit, vdekja dhe fatkeqësia e të cilit nën udhëheqjen e kryeministrit Kurtit po bëhet një rrugë e vështirë dhe me shumë mjegull. Zhdukja e mostrave dhe gjetja e pjesshme apo e plotë është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës, dhe kjo çështje nuk mund të tejkalohet sikurse nuk po ndodh asgjë”, ka deklaruar Tahiri.

Shefi i deputetëve të PDK-së, tutje shtoi se në dhjetor të vitit 2022 u publikua lajmi për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.

Lexo po ashtu Qeveria hesht për mostrat e Astrit Deharit, e paqartë se si ato u kthyen në IML

“Që nga ajo kohë e deri më tash askush nuk ka dhënë përgjegjësi penale e as politike. Përmasat e tragjedisë u zgjeruan e u thelluan, e pyetjet që mbetën pa përgjigje u shtuan kur, nga njëra anë, po në mars të vitit 2023 u gjetën një pjesë e mostrave të Astrit Deharit, pra u gjetën mostrat e lukthit dhe të urinës por mungonin epruvetat e mostrave të gjakut. Ndërkohë, në 21 nëntor 2023 kur zyrat e IML-së i kaploi zjarri i dytë, 4 muaj më pas u gjetën edhe mostrat e gjakut”, tha Tahiri.

Ai shtoi se me të drejtë si Grup Parlamentar kanë kërkuar formimin e komisionit hetimor për të zbardhur të vërtetën sa i përket mostrave të Deharit.

“Jo rastësisht, për 4 muaj me radhë, ky pushtet është duke e refuzuar themelimin e këtij komisioni. Sot, do ti ngremë disa pyetje ndaj të cilave kryeministri Kurti, kryeparlamentari Konjufca dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu”, ka thënë Tahiri.

Ai ka pyetur Kurtin, Konjufcën dhe Haxhiun që të tregojnë se kush i mori dhe zhduki mostrat e Astrit Deharit për një vit e gjysmë dhe a dihet se kush i ktheu?

“Ku ishin këto mostra dhe për çfarë qëllimi u vodhën nga IML-ja? Zhdukja e këtyre mostrave për një vit e gjysmë a ishte një alibi e pushtetit për të penguar hetimin penal dhe zbardhjen e vdekjes tragjike të Astrit Deharit? Nëse kryetari i Kuvendit dhe kryeministri kanë pasur dijeni për zhdukjen e këtyre mostrave në pranverën e vitit 2022 si ndodhi që ministrja e Drejtësisë të njoftoj qytetarët e Kosovës me gjashtë muaj vonesë, në një konferencë për media në dhjetor të atij viti”, tha Tahiri.

Lexo po ashtu Gjenden mostrat e Astrit Deharit

Tahiri parashtroi edhe disa pyetje të tjera lidhur edhe me rastet e zjarreve që shpërthyen në zyrat e IML-së.

“A ishte rastësi gjetja e një pjesë të mostrave të Astrit Deharit në mars të vitit 2023 dhe zjarri i parë po ashtu në mars i zyrave të IML-së? A ishte rastësi zjarri i dytë i zyrave të IML-së përmes të cilit ishte shkatrruar sistemi i kamerave dhe për katër ditë me rradhë nuk kishte fare vëzhgim të dhomës së dëshmive, pra të dhomës ku mbahen mostrat e rasteve që i trajton ky institucion? A u shfrytëzua ky interval kohor prej katër ditëve kur nuk kishte kamera në IML, që mostrat e raportuara si të gjetura në këtë javë të kthehen ato ditë në dhomën e dëshmive? A është i qëllimshëm raportimi me 4 muaj vonesë i gjetjes së pjesës tjetër të mostrave të Astrit Deharit?” ka pyetur Tahiri.

Prandaj, sipas tij, këto dhe shumë pyetje të tjera kërkojnë dhe meritojnë përgjigje nga ana e kryeminsitrit Kurti, kryeparlamentarit Konjufca dhe ministres Haxhiu. /Telegrafi/

Exit mobile version