Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) Enver Hoxhaj ka shpalosur vizionin e partisë për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e projekteve strategjike dhe përbashkimit politik.
Përmes një video-mesazhi në rrjetin social në Facebook, Hoxhaj ka thënë se PDK do të bashkojë Kosovën dhe Shqipërinë përmes bashkëpunimit politik, projekteve si hekurudha Kosovë-Shqipëri dhe mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare.
Po ashtu, Hoxhaj kritikoi qeverinë të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se ajo ka përçarë shqiptarët.
Ai premtoi se një qeveri e ardhshme e PDK-së do të angazhohet për mbledhje të përbashkëta mes dy qeverive, adresimin e çështjeve të hapura dhe thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë të jetës.
“Prioritet i lartë do të jetë lidhja përmes hekurudhës Kosovë-Shqipëri, sikurse jemi krenarë që e kemi përmbyllur Rrugën e Kombit. Do të kemi misione të përbashkëta diplomatike e konsullore në çdo vend të botës dhe do të koordinohemi për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në rajon,” u shpreh Hoxhaj.
Ai theksoi gjithashtu mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe ndërkombëtarizimin e Luginës së Preshevës si çështje kyçe për kombin shqiptar.
Ky vizion i PDK-së synon të krijojë ura të forta bashkëpunimi mes dy shteteve, duke promovuar një agjendë të re politike që thekson unitetin dhe zhvillimin kombëtar. /Telegrafi/