Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin zgjedhor të saj në Prizren. Zëvendëskryetari i kësaj partie, Enver Hoxhaj ka thënë se Kosova e vitit 2019, nuk është ajo që ka qenë deri në vitin 2014, sa ishte PDK-ja nën udhëheqje të saj.
Hoxhaj tha se këto zgjedhje të brendshme, nuk janë vetëm garë e brendshme për atë se kush do të jetë në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, por është gara e cila po fillon që PDK ta rikthejë Prizrenin.
Ai shtoi se në politikë ka gara të brendshme, por garat më të rëndësishme janë ato që i bëjmë me subjekte politike, pra garat e jashtme.
“Edhe Kosova e 2019-ës nuk është ajo që ka qenë deri në 2014-ën, sa ka qenë PDK-ja në udhëheqje të vendit në qendër. Sot në 2019-ën, ndërkombëtarët më pak i besojnë Kosovës, por edhe qytetarët i besojnë më pak Kosovës. Në këtë drejtim, neve na duhet që si parti e shpresës, e besimit, e optimizmit, që ta rikthejmë besimin në shtet. Këtë punë mund ta bëjë vetëm PDK-ja, dhe këtë punë mund ta bëjë vetëm Kadri Veseli, kur të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, deklaroi zëvendëskryetari i PDK-së.
Hoxhaj tregoi se në zgjedhjet e brendshme të PDK-së deri më tani kanë marrë pjesë diku 39 mijë anëtarë të PDK-së në nivel vendi, në 20 degë. Deri më tash prej 1142 degëve, në 900 degë ka 500 anëtarë të rinj që i udhëheqin këto degë.
“Por përtej kësaj fokusi ynë kryesor do të jetë që PDK-ja të koncentrohet sa më shumë tek anëtari. Anëtari, përkrahësi, aktivisti dhe votuesi i partisë do të jetë prioritet i joni si Parti Demokratike e Kosovës. Por, mbi të gjitha duam ta rrisim mirëqenien dhe punësimin në Kosovë”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/