Site icon Telegrafi

Hoxhaj: Letra e Scholzit, Macronit dhe Melonit është një veto e re për Kosovën – Kurti e ka bllokuar shtetndërtimin

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj në një intervistë për emisionin “Përballje“ në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka folur për Qeverinë Kurti dhe qeverisjen.  

Hoxhaj është shprehur se ajo se çfarë ka ndodhë në këto tri vitet e fundit me qeverisjen Kurti është ndarja në gjysmë e shtetndërtimit të Kosovës.

“Nëse nuk ka asnjë njohje dhe s’ka asnjë njohje, dhe s’ka me pas asnjë njohje, nëse nuk ka asnjë anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare dhe dështimi i Kosovës në Këshill të Evropës, nëse nuk ka marrje të statusit të kandidatit për Bashkim Evropian, nëse ka një marrëveshje të dialogut Kosovë-Serbi, e cila marrëveshje ia ka bërë një dëm kolosal Kosovës që nuk e kërkon as njohjen e ndërsjellë, nuk është as marrëveshje obligative ligjore… pra të gjitha këto flasin që gjatë qeverisjes Kurti, në fakt shtetndërtimi i Kosovës është ndarë në gjysmë”, u shpreh Hoxhaj.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së tutje shtoi se shtetndërtimi i Kosovës në këto tri vitet e fundit është projekt i bllokuar.

“Në këto tri vitet e fundit shtetndërtimi i Kosovës si projekt është i bllokuar është ndarë në gjysmë dhe ky është dëmi më i madh që ndonjë Qeveri nga 2008 ia ka shkaktuar vendit dhe është dëmi i cili në fund të ditës i përmbush vetëm interesat e armiqve të shtetit të Kosovës, assesi të qytetarëve, assesi të Kosovës së pavarur”, tha Hoxhaj.

Duke folur për politikën e jashtme të vendit, ish-ministri i MPJ-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në Telegrafi theksoi se gabimet që i ka kryer kjo Qeveri në rrafshin e jashtëm politik kanë bërë që shtet-ndërtimi i Kosovës t’i ngjajë një entiteti sesa një shteti.

Hoxhaj komentoi edhe letrën e dërguar nga kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni.

Ai tha se kjo letër është një veto e re e shteteve sponsore evropiane të pavarësisë së Kosovës.

“Ajo letra e famshme e Scholzit, Macronit dhe e Melonit e di çka flet ajo? Nëse Kosova në Këshill të Sigurimit të OKB-së e ka pas veton ruse dhe kineze që ne mos të anëtarësohemi në OKB, të cilët kanë qenë partnerë të Serbisë,  letra tash është një veto e re e shteteve sponsore evropiane të pavarësisë së Kosovës, në raport me anëtarësimin e Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare”, tha Hoxhaj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë intervistës në “Përballje” me kryredaktorin Muhamet Hajrullahu në Telegrafi.com

Hoxhaj shtoi se kudo që do të lëvizë Kosova në vitet e ardhshme, atë letër do ta kenë si kusht, qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës qoftë për organizata jashtë Evropës, qoftë për marrjen e statusit të kandidatit.

“Prandaj, edhe dëmet të cilat janë ba në këto tri vitet e fundit janë dëme të cilat e tejkalojnë imagjinatën që një qeveri e një vendi të pavarur mund ta bënte Republikës së Kosovës nga 2021-2024. Kjo ka ndodhë sepse zoti Kurti, sa ka qenë në opozitë, në të gjitha temat e politikës së jashtme, ka pasur një qasje të gabuar ka vazhduar që të ketë një qasje të gabuar edhe pas marrjes së Qeverisë Kurti një dhe dy dhe një mungesë e qartësisë së plotë të asaj se çfarë po ndodh në rrafshin ndërkombëtar”, tha Hoxhaj. /Telegrafi/

Exit mobile version