Për nder të 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës, Horizon School organizoi një program të larmishëm kulturo-artistik për të shënuar këtë datë të rëndësishme historike.
Në këtë ngjarje morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore të arsimit, të ftuar nga Kosova dhe Shqipëria, prindër dhe nxënës të shkollës.
Programi filloi me himnin kombëtar dhe himnin shtetëror, ndërsa vazhdoi me performanca të shumta artistike kulturore. Nën tingujt emocionues, u interpretua kënga “Është vendi im”, më pas manifestimi vazhdoi me një pikë vallëzimi nën tingujt e valles së Rugovës, duke shfaqur trashëgiminë tonë të pasur kulturore. Kjo u pasua nga një recital emocionues, i cili tregoi rrugëtimin e shtetit tonë drejt pavarësisë.
E veçanta e këtij manifestimi ishte performanca e këngëve “Mora Fjalë” dhe “Xhamadani Vija Vija” nga ikona e muzikës tonë popullore dhe patriotike, Shkurte Fejza, interpretimi i së cilës ngjalli emocione të thella te publiku.
Më pas u interpretua edhe monologu “Adem Jashari”, një nderim i fuqishëm për heroin tonë kombëtar, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë. Ndërsa programi u shpalos, u ekspozuan veshje tradicionale të trevave shqiptare dhe programi vazhdoi me një pikë tjetër vallëzuese me këngën “Cuca e Uskanës”. Në mbyllje të programit, të gjithë të pranishmit u ftuan të shikojnë portretet e personaliteteve të shquara që kanë kontribuar në historinë kombëtare shqiptare.
Horizon School është krenare për pritjen e këtij programi kulturor dhe artistik, i cili u organizua dhe u realizua nga studentët dhe stafi i shkollës. Përmes këtij programi të larmishëm, Horizon School ka nderuar, përkujtuar dhe festuar 16 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, si një ditë shumë të rëndësishme për popullin tonë.