Keisuke Honda ka konfirmuar largimin nga Milani pas këtij sezoni, por shpreson të shihen së shpejti përsëri.
Reprezentuesi japonez ka kaluar tre vjet e gjysmë në San Siro, por ka bërë vetëm shtatë paraqitje këtë sezon të Serie A.
Megjithatë, 30-vjeçari ka shënuar dje kundër Bolognas një supergol nga goditja e dënimit dhe duket se kjo mund të jetë dhurata e tij e ndarjes.
Ndarjen e tij me Milanin e ka zyrtarizuar vetëm japonezi që i falënderon tifozët e klubit dhe shpreson të shihen përsëri.
“Tifozët e mi të dashur, faleminderit”, shkroi fillimisht Honda në një mesazh të botuar nga Kyodo News, përcjell Telegrafi.
“Këto tri vite e gjysmë kanë qenë vite sfiduese, por për shkak të kësaj unë jam rritur si person”.
“Unë do të largohem nga Milani pas këtij sezoni, por shpresoj të shihemi përsëri. Ndoshta atëherë unë nuk do të jem më një lojtar, kush e di se si do ta shohim njëri-tjetrin përsëri?”.
“Do të vazhdoj të punoj shumë çdo ditë për të arritur objektivat e mia. Forza Milan!”, përfundoi mesfushori japonez. /Telegrafi/