Historia e vilës që kushton 1 miliard euro: Dhurata skandaloze e mbretit për dashnoren e tij adoleshente
Nga prostituta në princeshë: Një histori dashurie, skandali dhe luksi që të lë pa frymë
Në Rivierën Franceze, përgjatë bregdetit mahnitës mesdhetar, fshihet një nga rezidencat më të bukura dhe më të shtrenjta në botë - Villa Leopolda. E rrethuar nga një pronë prej afro 8 hektarësh, me 19 dhoma gjumi, fusha sportive, kinema private, restorante dhe pishina luksoze, kjo vilë është një shembull i vërtetë i luksit të pakufizuar. Sipas portalit architecturehelper.com, ajo renditet si vila e katërt më e bukur në botë.
Një histori e mbushur me luks dhe kontroversa
Emrin e saj, vila e mori nga mbreti belg Leopold II, i cili në fund të shekullit XIX ia dhuroi këtë pronë dashnores së tij, Blanche Zélia Joséphine Delacroix, e njohur si Caroline Lacroix. Në atë kohë, Blanche ishte vetëm 16 vjeçe dhe punonte si prostitutë në Paris, ndërsa mbreti ishte 65. Pas vdekjes së tij, ajo humbi të drejtën mbi vilën, që kaloi në pronësi të nipit të Leopoldit, mbretit Albert I.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, vila u shndërrua në spital ushtarak. Më vonë, ajo u ble nga kontesha De Beauchamp, e cila ndërmori rikonstruksione të thella duke i dhënë formën moderne që ka sot, transmeton Telegrafi.
Një kryevepër arkitekturore
Ndryshimet më domethënëse u bënë në vitet 1929-1931, nën drejtimin e arkitektit dhe dizajnerit amerikan Ogden Codman Jr., i cili bashkoi 12 ndërtesa ekzistuese për të krijuar një kompleks të integruar luksoz, të rrethuar nga kopshte të mrekullueshme dhe me një stil që të lë pa fjalë.
Për ironi, vetë Codman nuk mundi ta përballonte jetesën në këtë vilë për shkak të kostove të larta, ndaj ajo u shndërrua në rezidencë me qira për klientë të pasur.
Një nga tentativat më të njohura për ta marrë me qira erdhi nga Duka dhe Dukesha e Windsor, të cilët deshën të bënin ndryshime të mëdha në vilë, por Codman refuzoi. "Më vjen keq, por shtëpia Codman nuk mund të bashkëpunojë me shtëpinë Windsor", ishte përgjigjja e tij ironike.
Vila që kalon dorë pas dore
Pas vdekjes së Codman në vitin 1951, vila ndryshoi disa herë pronësi. Ndër pronarët e saj kanë qenë financieri kanadez Isaac Walton Killam, presidenti i Fiat-it Gianni Agnelli, dhe në fund të viteve 1980, bankieri libanez Edmond Safra dhe bashkëshortja e tij Lily, të njohur për pritjet madhështore që organizonin në këtë rezidencë.
Në njërën prej festave të tyre, mysafireve femra u dhuruan kuti të dekoruara me portretin e vilës – një shembull tjetër i ekstravagancës së kësaj prone.
Një çmim që të lë pa mend
Në vitin 2008, miliarderi rus Mikhail Prokhorov tentoi ta blinte vilën për 370 milionë euro, plus 19.5 milionë euro për mobilimin, por e tërhoqi ofertën pas krizës financiare globale. Kjo solli një betejë ligjore që përfundoi në vitin 2012, kur gjykata franceze vendosi në favor të trashëgimtarëve të Safra.
Përveç arkitekturës së mahnitshme, Villa Leopolda është e rrethuar nga kopshte botanikë në 15 hektarë, me mbi 1,500 lloje bimësh dhe 20 serra me bimë tropikale të rralla, duke e kthyer në një parajsë të vërtetë për dashamirësit e natyrës.
Në ambientet e saj përfshihen edhe një sallë balloje dhe stallë kuajsh që mund të strehojë deri në 30 kuaj.
Në vitin 2016, vila u vlerësua në treg me një çmim marramendës prej 1 miliard euro, duke e vendosur ndër pronat më të shtrenjta në planet. /Telegrafi/


