Site icon Telegrafi

Hiqet flamuri kuq e zi në Luginë (Foto)

Godina e administratës komunale të Bujanocit sot mbeti pa flamurin kuq e zi. U vendos me shumë bujë e u hoq në heshtje.

I vetmi flamur që valon është ai i Republikës së Serbisë, përderisa flamuri me shqiponjën dykrenore të cilën e vendosi të premten kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tashmë është palosur dhe mbyllur në sirtar.

Euforia e liderëve politik se do të mbrojnë flamurin kombëtar mbaroi për disa orë, e derisa flamuri të shihet sërish në ndërtesën e Komunës së Bujanocit dhe Preshevës, do të duhet të kalojë një vit, shkruan portali informativ Titulli.

Deri atëherë, qytetarët shqiptarë të Luginës çmallen me flamurin kuq e zi vetëm në ambiente private.

Republika e Serbisë, edhe pse lejon përdorimin e simboleve kombëtare nga pakicat që jetojnë në këtë shtet, ajo me Ligj ndalon përdorimin e atyre simboleve të shteteve tjera, që në këtë rast simboli kombëtar shqiptarë (Flamuri kuq e zi), i cili është edhe flamurë i Republikës së Shqipërisë, nuk lejohet të vendoset në institucione të vendit.
 

Exit mobile version