Site icon Telegrafi

Hiperaktiviteti – simptomat, diagnostikimi, trajtimi dhe çdo gjë tjetër që duhet të dini

Dr. Lidra Shabani,
Psikiatër për fëmijë dhe adoleshentë
Tel: 044 187 170

Hiperaktiviteti (Attention Deficit/Hiperactivity Disorder – ADHD) si term po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë për të cilësuar një sjellje të caktuar të fëmijës, sjellje kjo e cila karakterizohet me një impulsivitet të theksuar dhe mungesë të vëmendjes. Një përshkrim i tillë i simptomatologjisë, duke u kufizuar vetëm në impulsivitet dhe mungesë të vëmendjes, jo rrallë mund të na çojë në diagnostikim të gabuar e joprofesional të fëmijës. Si rregull, për t’u plotësuar kriteret diagnostike, simptomat duhet të jenë prezente para moshës 7 vjeçare, megjithëse te shumë fëmijë një diagnozë e tillë mund të vendoset vetëm pas moshës 7 vjeçare, atëherë kur sjelljet e tyre shkaktojnë problem në shkollë dhe mjedise të tjera sociale.

Në shekullin XX hiperaktivitetin e fëmijëve ia atribuonin dëmtimeve neurologjike, të shkaktuara nga faktorë biologjik, ndërsa më vonë janë zhvilluar teori të tjera që e lidhin shfaqjen e këtij entiteti me gjenetikën. Aktualisht, asnjë faktori si të vetëm nuk mund t’i atribuohet shfaqja e një gjendjeje të tillë, megjithëse shumë variabla mund të kontribuojnë në të.

Etiologjia – Ka një konsensus se etiologjia e këtij çrregullimi përfshin shumë bashkëveprime të sistemeve neuroanatomike dhe neurofiziologjike. E rëndësishme është se shumica e fëmijëve me ADHD nuk kanë dëmtime strukturore të sistemit nervor qendror. Ndonëse nuk ka evidenca shkencore, mendohet se faktorë kontribues në shfaqjen e ADHD janë ekspozimet toksike prenatale, prematuriteti, shtesat e ndryshme ushqimore, si ngjyrat, sheqernat etj.

Diagnostikimi – Shenja primare e impulsivitetit dhe hiperaktivitetit bazohet në historinë detale të fëmijës dhe përcjelljen e tij direkte, veçanërisht në ato situata që kërkojnë vëmendje të qëndrueshme. Hiperaktiviteti është variabil dhe si i tillë nuk shfaqet me intensitet të njëjtë në situata të ndryshme, p.sh. në shkollë mund të ketë shfaqje më intensive, ndërkaq në situata të tjera si intervistimi direkt apo aktviteti sportiv vihet më pak në dukje. Diagnostikimi i ADHD duhet të jetë i bazuar në kritere shkencërisht të verifikueshme, prandaj gjithnjë kërkon që ky proces të bëhet nga profesionistët e shëndetit mendor, më konkretisht nga Psikiatri i Fëmijëve. Në shkollë fëmijët hiperaktiv nuk mund të përcjellin udhëzimet dhe kërkojnë më shumë vëmendje nga mësuesit e tyre. Ata janë impulsiv, shfaqin labilitiet emocional dhe janë lehtë të irritueshëm, vetëvlerësim të ulët, etj. Çrregullimet e të lexuarit, llogaritjes, gjuhës, mund të jenë shoqërues të ADHD.

Fëmijët që shfaqin si dominante komponentën e hiperaktivitetit referohen më shumë për trajtim se sa ata që shfaqin si dominante komponentën e deficitit të vëmendjes. Duhet konstatuar shkalla e çrregullimit, devijimi në zhvillim dhe reagimi  i prindërve ndaj sjelljeve, sepse kjo ndihmon klinicistët të vlerësojnë shkallën në të cilën prindërit kanë kontribuar ose reaguar ndaj këtyre çrregullimeve funksionale të fëmijëve të tyre.

Vlerësimet korrekte të mësimdhënësve në shkollë janë të rëndësishme në vlerësimin nëse vështirësitë e fëmijës në mësim dhe sjelljet në shkollë janë për shkak të pamundësisë së fëmijëve për të pasur vëmendje të qëndrueshme. Mënyra se si fëmija i qaset raporteve me motra e vllezër, bashkëmoshatarë, të rritur, dhe aktiviteteve të tjera, kanë vlerë të madhe diagnostike, që i ndihmojnë shumë psikiatrit të fëmijëve për të ardhur më shpejtë te një diagnozë e saktë.

Veçoritë klinike të ADHD – ADHD mund të ketë fillim edhe në foshnjëri, megjithëse paraqitja e tij te një moshë e tillë është shumë e rrallë. Foshnjat me këtë çrregullim janë tepër të ndjeshëm ndaj stimujve dhe janë lehtësisht reaktibil nga zhurma, drita dhe ndryshimet tjera mjedisore. Shumë shpesh foshnjat me ADHD janë aktiv në shtratin e tyre të gjumit, flejnë pak dhe qajnë. Ata kanë shumë më pak mundësi se fëmijët tjerë që nuk janë hiperaktiv ta zvogëlojnë aktivitetin e tyre lokomotor në mjedisin e tyre social. Në shkollë, fëmijët hiperaktiv nisin me vrull kryerjen e detyrave të tyre, por zakonisht nuk kanë qëndrueshmëri dhe ndalojnë së kryeri që pas detyrës së dyte. Detyrat e klasës që kanë të bëjnë me shkrimin e diçkaje janë përplot gabime dhe kjo është si rezultat i mosndjekjes së udhëzimeve të mësuesit. Zakonisht ata nuk presin që t’u thirret emri, por zakonisht përgjigjen të parët. Në klasë këta fëmijë shpesh lëvizin në bankë apo karrige, shpesh ndërrojnë vendin dhe lëvizin nga vendi në mjedise ku qëndrimi ulur është rregull. Këta fëmijë shpesh janë shpërthyes dhe irritabil. Shpesh flasin pa pushim dhe nxisin ndërveprimin me të tjerët, shpesh humbasin gjërat e nevojshme që iu nevojiten për realizimin e detyrave p.sh. lapsin, gomën, fletoren. Fëmijët me impulsivitet të lartë shpesh japin përgjigje para se pyetja të ketë përfunduar dhe kanë vështirësi për ta pritur radhën, prandaj shpesh ndërpresin të tjerët përderisa ata janë duke folur.

Kanë vështirësi në mbajtjen e vëmendjes ndaj detaje të vogla në shkolle ose aktivitete tjera dhe ngacmohen lehtësisht e janë emocionalisht labil, për ç’gjë lehtësisht qeshin apo qajnë. Impulsiviteti dhe pamundësia e tyre për shtyrë përjetimin e kënaqësisë janë karakteristikë për këta fëmijë.

Problemet e vëmendjes në shtëpi janë të shfaqura përmes dështimit për t’ju bindur kërkesave prindërore dhe paaftësisë për të luajtur për një kohë të gjatë një lojë të caktuar. Fëmijët më të vegjël se mosha shkollore, hiperaktivitetin e shfaqin përmes vrapimit ose ngjitjes nëpër objekte apo vende të ndryshme.

Rrjedha dhe prognoza – Rrjedha e ADHD-së është e ndryshme.  Simptomat perzistojnë deri në adoleshencë dhe moshën e rritur deri në 50% të rasteve. Tek të tjerët simptomat mund të tërhiqen në adoleshencë apo në fund të saj. Te disa raste komponenta e hiperaktivitetit mund të tërhiqet, por komponenta e deficitit të vëmendjes mund të perzistojë. Rrjedha e këtij çrregullimi është e diktuar shumë nga faktorë shoqërues më të cilët përcillet ky çrregullim, si ngjarjet negative jetësore, çrregullimet e sjelljes, depresionni dhe çrregullimet e ankthit. Pikërisht për këtë, paraqitja me kohë te Psikiatri i fëmijëve dhe sigurimi se fëmija i juaj është nën mbikëqyrjen e profesionistëve adekuat, ka ndikim shumë të madh në rrjedhën e mëtejshme të këtij çrregullimi. Një kujdes i tillë, i siguron fëmijës që ai të ketë një jetë produktive në vijim. Në njërën anë, mundësia që këta fëmijë të jenë shumë vulnerabil nga sjelljet antisociale, abuzimit me substanca dhe çrregullimet e disponimit dhe, në anën tjetër, mundësia shumë e madhe që këta fëmijë kur janë nën përkujdesjen e profesionistëve mjekësorë (Pskiatrit të fëmijëve) të mjekohen dhe të jenë shumë produktiv në jetën e tyre, shtron para prindërve nevojën që ata të jenë shumë të vëmendshëm dhe të përkushtuar përkitazi më këtë problematikë të fëmijëve të tyre.

PRINDËRIT – Krahas përkujdesjes mjekësore, prindërit duhet ta kuptojnë se duhet të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre, të luajnë, të bisedojnë me ta etj. Duhet që fëmija të mos qortohet për çdo veprim dhe sjellje të tij. Duhet të mësohet fëmija që të jetë i durueshëm. Për të qenë në gjendje për t’u sjellur në mënyrë adekuate me fëmijën e tij, i cili e ka këtë çrregullim, prindërit duhet gjithashtu që të kenë konsulta të rregullta me psikiatrin e fëmijëve.

MËSIMDHËNËSIT– Përveç psikiatrit të fëmijëve, prindërve, rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në menaxhimin dhe mjekimin e këtyre çrregullimeve luajnë edhe mësimdhënësit, të cilët kalojnë një pjesë të mirë të kohës me këta fëmijë. Ata (mësimdhënësit) duhet ta kuptojnë se fëmija më ADHD ka nevojë për një trajtim më specifik se fëmijët e tjerë dhe disa masa të vogla, si ulja në bankën e parë, zbërthimi i detyrave më detajshëm, të mos dënohet për çdo veprim impulsiv që ai bën, dhënia e lavdatave për punën dhe suskesin e tij, përbëjnë vetëm disa nga veprimet me të cilat mësimdhënësit mund të kontribuojnë jashtëzakonisht shumë për ta përplotësuar mozaikun në procesin e trajtimit të fëmijëve me ADHD.

Trajtimi – Trajtimi i fëmijëve me ADHD është një proces për të cilin duhet që profesionistët mjekësor, prindërit dhe mësimdhënësit të kenë durimin e duhur. Kjo, për faktin se bëhet fjalë për një çrregullim dhe një kategori sociale shumë të ndjeshme, sikundër janë fëmijët. Po ashtu, trajtimi fiton rëndësinë e tij edhe për faktin se me një qasje profesionale dhe gjithpërfshirëse mund të ndikohet shumë në rrjedhën e këtij çrregullimi dhe, për rrjedhojë, në produktivitetin e këtyre personave kur ata të arrijnë moshën e rritur.

Një trajtim i kombinuar, që përfshin atë farmakologjik (stimulantët, jostimulantët, triciklikët etj, për të cilët AACAP – Akademia Amerikane e Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve rekomandon përdorimin e tyre vetëm pas përcaktimit të disa parametrave mjekësor të fëmijës dhe nën përkujdesjen e profesionistëve), intervenimet psikosociale, duke theksuar bashkëveprimin e Psikiatrit të fëmijëve, prindërve dhe mësimdhënësve për të cilin u fol me lart, është trajtimi i duhur i fëmijëve me ADHD. /Telegrafi/

Exit mobile version