Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është vlerësuar me çmimin “Vital Voices Global” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hillary Clinton, bashkëshortja e ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe njëra nga themelueset e fondacioni ‘Vital Voices Global Partnership’, me qendër në Uashington i dorëzoi çmimin kryeministrit shqiptar duke vlerësuar për kontributin e dhënë në pritjen e më shumë se 1000 afganëve të larguar nga vendi pas rënies së shtetit në duart e talebanëve.
Në fjalën e saj në ceremoninë e organizuar me këtë rast, znj. Clinton vlerësoi kryeministrin shqiptare dhe për kontributin e tij në promovimin e barazisë gjinore, teksa solli në vëmendje se qeveria e re Rama përbëhet në nga shumicë gra.
“Kryeministri Rama u hapi dyert e Shqipërisë njerëzve nga Afganistani e, kryesisht, grave në nevojë dhe, falë udhëheqjes së tij dhe përpjekjeve të qeverisë shqiptare, më shumë sesa 1 000 të evakuuar afganë janë të sigurt në Shqipëri”, tha mes të tjerash Hillary Clinton.
Kryeministri Rama deklaroi se ndihet krenar për mikpritjen që u ka bërë afganëve.
“Ne jemi një vend i vogël, nuk mund të ndryshojmë fatet e asnjë lufte dhe shkojmë në luftë kur e vendosin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ama nëse nuk gjendemi as kur bëhet fjalë për të shpëtuar njerëz, pa bërë sidoqoftë akte heroike si ato që gratë e burrat e vjetër përpara nesh bënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pse duhet të jemi anëtarë të NATO-s dhe ç’vlerë kemi fundja në këtë botë?!”- tha kryeministri shqiptar.
‘Vital Voices Global Partnership’ është një organizatë amerikane ndërkombëtare jofitimprurëse, që punon në fushat e fuqizimit ekonomik, pjesëmarrjes politike të grave dhe të drejtave të njeriut. Organizata u themelua në vitin 1997 nga Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton dhe Sekretarja e Shtetit të SHBA, Madeleine Albright, pas Konferencës së Katërt Botërore të Kombeve të Bashkuara për Gratë në Pekin për të promovuar avancimin e grave si një objektiv i politikës së jashtme të SHBA-së.