Site icon Telegrafi

Hetimet për energjinë, votohet lista fillestare e dëshmitarëve për intervistim

Anëtarët e Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike sot kanë miratuar listën fillestare të dëshmitareve që do të ftohen për intervistim.

Kryetari i këtij komisioni, Hajdar Beqa tha se për intervistim do të ftohen të gjithë emrat të cilët hyjnë në funksion për përpilimin e raportit përfundimtar, përfshirë drejtorë, kryeshefa, anëtarë të bordeve, ministra e anëtar të këshillit ndërministror.

“Mandati i komisionit tonë është i gjatë, është nga viti 2006 deri më 5 maj 2022 dhe e kemi për obligim që për të gjithë periudhën të hetojmë dhe të thërrasim dëshmitarë të mundshëm ose ekuivalent që konsiderojmë që hyjnë në funksion të përpilimit të raportit përfundimtar… Një dakordim paraprak që jemi dakorduar që në fazën e parë dëshmitarët të ftohen të gjithë akterët që kanë qenë nëpër borde në të gjitha nivelet edhe kryesues të bordit edhe anëtar të bordit edhe kryeshefat dhe drejtat e përgjithshëm ku nuk ka pas kryeshefa nga 2006 deri 2022, të gjithë ministrat e linjës nga 2006 deri në 2022 edhe këshillit ndërministror”, theksoi ai.

Pas miratimit të listës, reagoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, që në vazhdimësi ka pasur rezerva rreth listës së zgjeruar të dëshmitarëve.

“Veç dëgjomni tjetër herë e mos mi humbni 4 javë”, tha Zemaj.

Në këtë mbledhje të sotme në rend dite ishte edhe shqyrtimi i CV-ve për angazhim të ekspertëve është shtyrë për ndonjë mbledhje tjetër pasi të miratohet buxheti për këtë komision hetimor.

Anëtarja e këtij komisioni nga LDK, Rrezarta Krasniqi teksa prezantoi emrat e kandidatëve për ekspertë dha rekomandimin që CV-të e Milaim Zekës dhe Arbër Krasniqit të bëhen sqarime shtesë nga zyra ligjore.

“Bashkim Mustafa, Milaim Zeka, Arbër Krasniqi, Ujkan Bajra, Bekim Jakupi, Valon Kashtanjeva, Fikret Ibrahimi dhe Shkelzen Dakaj. Grupi punues ka vlerësuar se CV-të e kandidatëve Bashkim Mustafa, Ujkan Bajra dhe Fikret Ibrahimi mund të rekomandohen për procedurë të mëtejme në komision. Kandidatët që nuk mund të rekomandohen në komision janë Bekim Jakupi, Valon Kashtanjeva dhe Shkëlzen Dakaj. Grupi punues ka vendosur që t’i paraqesë komisionit për rekomandim që komisioni të kërkojë mendim ligjor nga Zyra për çështje juridike në lidhje me CV-të e Milaim Zekës dhe Arbër Krasniqit… Rekomandohen sqarimet shtesë në lidhje me kandidimin e Milaim Zekës i cili ka qenë pjesë e politikës dhe për këtë arsye duhet të merren sqarime shtesë nga zyra ligjor e cila do të ishte ekspertiza e pavarur. Kurse, Arbër Krasniqi ka punuar në KEDS në një periudhë të caktuar kohore dhe duhet të merren sqarime shtesë nga zyra ligjore se a paraqet konflikt interesi”, theksoi ai.

Kurse, Armend Muja nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që kjo pikë të diskutohet ndonjë mbledhje tjetër pasi buxheti për këtë Komisioni nuk është miratuar.

“Në këtë fazë buxheti i këtij komisioni nuk është miratuar edhe Kuvendi nuk e ka miratuar për arsye se ka menduar se është pak i lartë kështu që deri në rishikim na duhet edhe njëherë të riplanifikojmë buxhetin dhe kjo kërkesë vjen në Komision për Buxhet të mërkurën dhe kisha kërkuar që këtë ta diskutojmë edhe njëherë…e kemi problem t’i angazhojmë (ekspertët) nëse nuk kemi buxhet”, u shpreh Muja.

Exit mobile version