Komuna e Kaçanikut dhe ajo e Hanit të Elezit, tash e disa ditë po përballen me helmim të qytetarëve, që dyshohet te ketë ardhur si pasojë e ujit të pijshëm.
Gjatë javës së kular në QKMF-në në Kaçanik kanë kërkuar ndihmë mjekësore më shumë se 300 qytetarë.
Situata aktualisht raportohet të jetë e qetë. Kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi në një prononcim për Telegrafin ka treguar se aktualisht kanë diku rreth 15 pacientë që kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjatë 24 orëve të fundit.
“Situata tash duket të jetë më e qetë, kemi diku rreth 15 pacientë që kanë kërkuar tretman mjekësorë brenda 24 orëve me ato simptoma të lehta dhe pa komplikime”, ka deklaruar Ilazi.
Ai ka shtuar se IKSHPK-ja po e monitoron cilësinë e ujit çdo ditë, dhe ka rekomanduar që gjatë këtyre ditëve të vlohet uji për pije derisa cilësia e tij të përmirësohet.
Ndryshe në Han të Elezit, gjatë 24 orëve të fundit ndihmë mjekësore kanë kërkuar 108 qytetarë, të cilët kanë pasur simptoma të barkqitjes, vjelljes dhe temperaturë.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, Kimete Kuka, drejtoreshë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në këtë komunë.
Ajo ka shtuar se pavarësisht numrit të lartë të qytetarëve që po kërkojnë ndihmë mjekësore situata është e qetë.
“Nga dje në orën 08:00 e deri sot në po të njëjtën orë, ndihmë mjekësore kanë kërkuar 108 qytetarë. Situata është e qetë, të gjithë qytetarët kanë marrë trajtimin mjekësor dhe për momentin nuk kemi asnjë të shtrirë në QKMF”, ka thënë Kuka.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar, kanë njoftuar se kanë bërë furnizimin me barna në QKMF-në, në Han të Elezit dhe Kaçanik në kuadër të kërkesave për ndihmë emergjente, sa i përket dyshimeve për helmim nga uji. /Telegrafi/