Site icon Telegrafi

Haxhiu i PDK-së: Pantiqi në arrest shtëpiak për vepër terroriste, pjesëtari i FSK-së në burg

Pas vendimit të gjykatës për t’ia caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtaj, i cili dyshohet se i plagosi dy të rinj serbë të premtën në Shtërpcë, ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook, Haxhiu e ka krahasuar këtë vendim me atë për lirimin në arrest shtëpiak të Dejan Pantiq.

“Ish-policit Dejan Pantiq që akuzohet se plagosi policin e Kosovës, iu caktua masa arrest shtepiak. Azem Kurtaj pjesëtar i FSK-së akuzohet se plagosi dy qytetarë serbë, i caktohet masa e arrestit me burg. Krejt dhe drejt Barazi dhe drejtësi”, ka shkruar Haxhiu.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Azem Kurtaj, i dyshuar për plagosjen e dy personave në Shtërpcë.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga kjo gjykatë.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.K për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “vrasja e rëndë në tentative”,“përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “ shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm””, thuhet në njoftim./Telegrafi/

Exit mobile version