Ish-ministrja e Drejtësisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklarimeve të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se Kosova duhet të implementojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se një presion i tillë mund t’i bëhet vetëm kryeministrit Avdullah Hoti.
Diplomati sllovak kërkesën e tij e ka ‘arsyetuar me atë se marrëveshja është nënshkruar nga vetë pala kosovare’, duke përmendur faktin se “kjo është një temë shumë e ndjeshme që u adresua gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës – ky mendim duhet të merret parasysh”.
Haxhiu në një postim në Facebook thotë se Avdullah Hoti ‘është shumë i përshtatshëm për presion’, madje e ka quajtur edhe asistent të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
“Vetëm qeverisë së LVV nuk mund t’ia kërkojnë asociacionin, meqenëse ne e kemi kundërshtuar edhe në vitin 2013, por edhe në vitin 2015. Hoti është tejet i përshtatshëm për t’i bërë trysni pasi që është asistent i Isa Mustafës, nënshkruesit të ‘Zajednices’ më 25 gusht 2015, në dokumentin ku kërkohej vetëm parafrimi”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, kryeministri Hoti ka thënë se asociacioni është temë e mbyllur për Kosovën dhe se nuk do të diskutime për këtë çështje në tavolinën e bisedimeve me palën serbe në Bruksel.
Lajçak në një intervistë për media ka thënë se çështja e Asociacionit të Komunave Serbe, e cila, siç kujtoi ai, tashmë ishte dakorduar në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015, por ato nuk ishin zbatuar.
“Kjo është një temë shumë e ndjeshme që u adresua gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës – ky mendim duhet të merret parasysh. Por unë i pyes ata që thonë se tani nuk është koha për këtë: Kur, nëse jo tani? Epo, ju e nënshkruat vetë marrëveshjen”, tha Lajçak. /Telegrafi/