Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se në qoftë se formohet një Asociacion i komunave me shumicë serbe, i cili do të ketë kompetenca ekzekutive, do ta bosnjizonte Kosovën.
Duke folur për këtë çështje, autori i emisionit “Debat Plus”, Ermal Panduri, e pyeti Hasanin se a do ta bosnjizonte Kosovën formimi i Asociacionit i cili po qarkullon në “non-paper”, të ndryshëm.
Hasani u përgjigj duke thënë se “Po”.
“Problemi është te koordinimi i aktiviteteve që kanë shumicë serbe duke kriju një entitet tjetër legal brenda rendit juridik të Kosovës. Entitet që është i ndryshëm, ka kapacitet përfaqësues. Me ato kompetenca me ato që po qarkullojnë po (e bosnjëzon)”, ka thënë Hasani.
Tutje Hasani, tha se nëse Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive atëherë bie ndesh me ligjet e Gjykatës Kushtetuese.
“Dihet që është jokushtetuese me ato kompetenca. Duhet me i marrë ato, ku e kanë bazën? Në statut? Natyra juridike e statutit nuk mund t’i përmbajë ato lloje të kompetencave”, ka deklaruar Hasani.
Hasani, po ashtu theksoi se nëse hiqen pikat e Asociacionit të cilat bien ndesh me ligjet e Gjykatës Kushtetuese, atëherë Asociacioni do t’i ngjante një organizate joqeveritare.
“Nëse hiqen, atëherë duhet të formohet një Asociacion, siç e thotë fjala një entitet që nuk i së drejtës publike, në stilin e OJQ-ve, dhe kanë rregulla të qarta dihen si funksionojnë”, ka thënë Hasani.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, u shpreh se pala kosovare duhet të dalë me propozimet e veta në mënyrë që çështja me Serbinë të mos shkojë në pafundësi./RTV Dukagjini/