Grupi i ekspertëve u mblodh sot për të hartuar ligjin dhe statutin e Fondit Sovran të Republikë së Kosovës.
Sipas një njoftimi për media, dy dokumentet do të mundësojnë themelimin dhe funksionalizimin e Fondit Sovran, si organizatë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Në njoftim thuhet se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që ishte pjesë e kësaj punëtorie, tha se hartimi i ligjit dhe statutit të Fondit kërkon kohë, përkushtim dhe dedikim teksa i falënderoi grupin e ekspertëve për gatishmërinë për të qenë pjesë e kësaj ndërmarrjeje të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, sipas njoftimit gjatë punëtorisë u trajtua puna e deritanishme dhe u diskutuan planet kohore për draftet e para.
Qeveria e vendit, në mbledhjes e 81-të të saj kishte miratuar Koncept Dokumentin e Fondit Sovran i cili përcakton qëllimet, funksionin dhe mandatet e Fondit, si dhe parasheh gjithë procesin që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit.
“Ky Fond do të administrojë ndërmarrje e asete të Republikës me potencial zhvillimor, duke përmirësuar qeverisjen dhe duke rritur vlerën e tyre, me synim zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e tyre. /Telegrafi/