Telegrafi

Harrojini gënjeshtrat e Shekspirit: Makbethi ishte mbreti i mirë i cili e bashkoi Skocinë

Laurence Olivier si Makbethi dhe Vivien Leigh si Zonja Makbeth

Nga: Val Mcdermid, shkrimtare / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Më duhet të pranoj se gjithmonë më është dukur i bezdisshëm portretizimi i Shekspirit [William Shakespeare] i Zonjës Makbeth. Është një nga gratë e pakta vërtet kryesore në veprën e tij, dhe ajo është e hidhur, shterpë – e çmendur. Për më tepër, qëndrimi i Shekspirit nuk është thjesht stereotip: është shpifje.

Kohët e fundit, Shtëpia Botuese Birlinn kërkoi nga unë të shkruaja për Zonjën Makbeth për serinë e saj Tregime nga toka e errët [Darkland Tales], në të cilën romancierët bashkëkohorë – si Denise Mina dhe Alan Warner – futen në ngjarjet e neglizhuara ose të keqkuptuara të historisë skoceze. (Shumica prej nesh, për historinë e vendit tonë nuk mësuam diçka tjetër përtej Robert Bruceit dhe merimangës së tij.)

Lexo po ashtu Zonja Makbeth: Gruaja më e keqkuptuar në dramaturgjinë botërore!?

Në fillim mendova se mund ta ritregoj historinë e saj si përrallë të shekullit XXI, për ndërskamcat politike të prapashpinës, por duke pasur parasysh gjendjen momentale të politikës në Skoci, do të ishte mënyrë e lehtë për njerëzit që ta kuptojnë jehonën e realitetit: nuk dua ta kaloj pjesën tjetër të jetës time në gjykatat e shpifjes. Kështu që vendosa të rikthehem te mbretëresha e vërtetë e shekullit XI, Gruoh [Gruoch ingen Boite], e cila ishte gruaja e mbretit Makbeth [Macbethad mac Findláech].

Lindi rreth vitit 1015 dhe vetë ajo ishte në linjën e trashëgimisë si pasardhëse e të madhit Keneth Mekalpin [Cináed mac Ailpin] – mbretit të piktëve. Burri i saj i parë ishte Gajl Koemgejn [Gille Coemgáin], mormaer (ose kont) i provincës së Moreit. Vdiq në vitin 1032 në një zjarr në sallën e tij të madhe, së bashku me 50 pjesëtarë të grupit të tij të luftëtarëve: moment ky i përshtatshëm për kushëririn e tij Makbeth, i cili e pasoi si mormaer dhe si bashkëshort i Gruohës.

Gruoha në portretin e John Singer Sargentit të vitit 1889 – aktorja Ellen Terry si Zonja Makbeth

Të dhënat historike janë të pakta – nuk ka bazë të hollësishme që lejon historianët të rehabilitojnë Rikardin III [Richard III] nga shpifjet e Shekspirit dhe të tjerëve – por, është e qartë se Makbethët janë keqinterpretuar. Nuk ka asnjë provë se Gruoha e kontrollonte burrin e saj dhe ajo sigurisht nuk e shtyu atë të ngjitej në shkallët e pasme dhe të vriste Mbretin Dankën [Duncan] në gjumë. Dankëni, mbreti i provincës fqinje të Albës, u përpoq të pushtonte Morein në vitin 1040 dhe Makbethi atë e vrau në fushën e betejës.

Makbethi më pas u bë mbret i Albës, duke bashkuar dy provincat dhe duke krijuar bazën për atë që ne tani e mendojmë si Skocia moderne. Ai nuk ishte, si te Shekspiri, tirani i cili u largua nga froni pothuajse menjëherë pasi u ul në të. Makdufi [Macduff] – dikush nga i cili jam magjepsur qëkur luaja në rrënojat e kështjellës së tij si fëmijë në Fifë – nuk e vrau Makbethin në jetën reale dhe nuk ka asnjë bazë historike për idenë se Makbethi ia masakroi atij familjen.

Rrënojat e kështjellës së Makdufit në Fifë

Në vend të kësaj, Makbethi dhe Gruoha sunduan mbretërinë e re për 17 vjet, dhe ka shumë arsye për të besuar se ishin të dashur nga njerëzit e vet. Mbretëria ishte aq e sigurt saqë, në fakt, në vitin 1050 të dy ata u larguan për disa muaj në një pelegrinazh në Romë për të takuar Papën, duke e lënë vendin në duart e një regjenti: kur u kthyen, ai ishte ende atje duke i pritur. Gjatë gjithë historisë kam vënë re se mbretërimet më të suksesshme pothuajse gjithmonë kanë qenë të rrënjosura në martesën ose në marrëdhënien e fortë: në çiftin që punon bashkërisht.

Lexo poashtu: Pse Rikardi III i Shekspirit u bë kopuk kontrovers?

Shtetasit e Makbethëve nuk u ngritën dhe nuk u revoltuan kundër tyre. Ishte djali i Dankënit, Malkolmi [Malcolm], ai i cili u kthye me pretendimin e tij mbi mbretërinë dhe trupat e të cilit vranë Makbethin në Betejën e Lumphananit në vitin 1057. Edhe pse Shekspiri në pjesën më të madhe e paraqet Zonjën Makbeth si të paaftë për t’ia siguruar burrit një trashëgimtar, Makbethi ashiqare e cilësonte Lulahun [Lulach], djalin e Gruohës nga martesa e saj e parë, si pasardhës të vetin; Lulahu merr detyrën si mbret, megjithëse Malkolmi arriti ta vriste brenda pak muajve për t’u bërë Mbreti Malkolmi III.

Lexo po ashtu: Rikardi III: E vërteta pas dramës makabre të Shekspirit

Nuk e dimë se kur vdiq Gruoha, por në romanin tim Mbretëresha Makbeth [Queen Macbeth], e imagjinoj atë të jetojë, duke u cilësuar nga Malkolmi si figurë potencialisht e rrezikshme e cila ende e kishte mundësinë për të bashkuar njerëzit kundër tij. Shmanga me shumë kujdes leximin e interpretimeve të tjera letrare të Zonjës Makbeth – përfshirë romanin e Dorothy Dunnettit, Mbret tash e tutje [King Hereafter], të cilin e kisha shijuar shumë vjet më parë – dhe thjesht u përpoqa të imagjinoja se çfarë lloj personi ka mundur të jetë ajo për të arritur atë që bëri.

Makbethët janë keqinterpretuar: Posteri i filmit të vitit 1971 me regji të Roman Polanskit

Ishte gjë e mirë që pata shansin për të dhënë versionin e vërtetë të ngjarjeve, ose pothuajse të vërtetë. Duhet të kujtojmë se në kohën e Shekspirit, kompanitë teatrore vareshin nga patronazhi i oborrit mbretëror dhe Makbethi u vu në skenë atëherë kur Mbreti Xhejms VI [James VI] i Skocisë u ngjit në fronin anglez si Xhejmsi I: nuk vinte nga linja e pasardhësve të Makbethit, por nga ajo e Bankos [Banquo] gjë që shpjegon se pse Shekspiri e paraqiti Makbethin si vrasësin e neveritshëm të Bankos. Përshkrimi i Zonjës Makbeth si magjistare do ta kishte kënaqur Xhejmsin i cili shkroi me obsesion për dënimin e shtrigave dhe i cili kishte djegur shumë gra si shtriga në Skoci.

Një aspekt lehtësues dhe mbrojtës për Shekspirin ishte se ai dinte më pak për Mesjetën sesa ne. Dhe, përveç kësaj, e di se sa e lehtë është t’i marrësh gjërat gabim. Komploti i librit tim varet nga personazhet të cilët njëri-tjetrit ia dërgojnë shënimet sekrete; pasi shkrova draftin e parë, botuesi im vuri në dukje se nuk kishte letër në Skoci në shekullin XI. Për fat të mirë, gjatë darkës me gruan time Jo dhe me shoqen tonë Nicola Sturgeon, arritëm te rrugëdalja nga problemi. Secili prej nesh ende pretendon atë për çfarë ka menduar. Botuesi pyeti gjithashtu nëse xhenxhefili (i përmendur në një kapitull si kurë për të vjellat e shtatzënisë) ka qenë i disponueshëm në Skocinë e Gruohës, por u konsultova me Mary Beardin e cila tha se të paktën kjo ekziston si mundësi.

Ekspozimi i mashtrimit të Shekspirit nuk është punë pa rreziqe. Dy ditë përpara se në maj të flisja për librin tim në Festivalin Letrar të Stratfordit, në hotelin ku po zhvillohej ngjarja ra një zjarr. Në minutën e fundit u zhvendos në Kishën e Trinisë së Shenjtë, ku është varrosur Shekspiri. Isha duke performuar disa metra larg varrit të tij, kur papritmas ra një pjesë e madhe e muraturës së kishës. Fatmirësisht, ishte në pjesën e pasme të naosit dhe askush nuk u lëndua. Ndoshta Shekspiri sinjalizonte mosmiratimin e tij – por, preferoj ta mendoj paksa si një formë e pranimit të pendimit. /Telegrafi/