Site icon Telegrafi

Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë, rriti shitjet e produkteve vendore

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka vizituar të mërkurën Kompaninë “Pestova” në Pestovë të Vushtrrisë, me ç’rast tha se shitjet në këtë fabrikë janë rritur pas vendosjes së taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.

Ai tha se është e rëndësishme që në këtë fabrikë janë qindra të punësuar. Ndërsa shtoi se taksa prej 100 për qind e vënë ndaj produkteve serbe, ka ndikuar në rritjen e shitjes se këtij produkti vendor.

“Mund të krenohemi me këto produkte. Eksportohen në Gjermani e Suedi dhe tregje shumë të avancuara. E mora vesh që është rritë shitja e produkteve që nga vendosja e taksës ndaj Serbisë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Por kjo fabrikë tha se përballet me probleme për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

“Ekziston ende një problem që është energjia. Këta duhet ta ndërtojnë trafostacionin e vet. Shpresoj që edhe këtu t’i japim përkrahje që të mos ta kenë koston kaq të lartë të energjisë”, ka thënë Ramush Haradinaj.

Kurse pronari i kompanisë “Pestova”, respektivisht fabrikës “Vipa Chips”, Bedri Kasumi, tha se gjatë vizitës e njoftoi kryeministrin me sfidat që ka kjo kompani dhe pritshmëritë nga Qeveria.

“Taka për prodhuesit vendorë është vendim shumë i qëlluar. Por ne duam që edhe barkodi jonë të pranohet në treg”, ka thënë prodhuesi vendor Bedri Kasumi. /Telegrafi/

Exit mobile version