Site icon Telegrafi

Haradinaj takon ambasadorin Kosnett: Qeveria e vendosur për partneritet afatgjatë me SHBA-të

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ka takuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), në Prishtinë, Philip Kosnett, me të cilin ka folur për Zonën Ekonomike Amerikane.

“Në takimin e rregullt me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, diskutuam sot për tema të rëndësishme të vendit, me theks të veçantë zhvillimin ekonomik dhe çështjet e sigurisë. Kosova tashmë ka krijuar infrastrukturën e nevojshme ligjore fiskale, Zonën e Veçantë Ekonomike Amerikane dhe veprime të tjera konkrete në favor të prodhuesve vendor, të cilat janë bazë e fortë për zhvillim ekonomik”, tha ai, shkruan Telegrafi.

Kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria është e vendosur për partneritet afatgjatë me SHBA-të.

“Për më shumë, partneriteti jonë në fushën e sigurisë është i domosdoshëm për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Qeveria e vendit është e vendosur për partneritet afatgjatë me ShBA-në dhe në këtë frymë do të angazhohemi pandalur”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij, në rrjetin social Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version