Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj thotë se me ujdinë e fundit në Ohër, Kosovës i është hapur rruga drejt anëtarësimit në NATO.
Haradinaj ka thënë se nuk cenohet rendi kushtetues me marrëveshjen e fundit.
“Nuk e kemi marrë njohjen bilaterale me Serbinë, por nuk na është kërkuar ndonjë kompensim i ri jashtë kushtetutës apo ligjeve të vendit. Nuk jemi fitues absolut pasi na duhet edhe njohja bilaterale. E kemi njohjen de fakto nga Serbia, derisa kemi njohjen edhe de-jure në planin ndërkombëtarë pasi kemi ndarje nga Serbia përjetësisht dhe kemi agjendën evropiane dhe euroatlantike”, tha Haradinaj, në RTV Dukagjini.
I pari i AAK-së duke folur për pikën 7 të marrëveshjes së Ohrit, thotë se me rëndësi nuk preket Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
“Vetëmenaxhimi edhe sot mund të ekzistojë në kuadër të qeverisjes komunale në Shtërpcë, Graçanicë apo diku tjetër. Edhe ajo është vetëmenaxhim pasi ata vetëmenaxhojnë me përgjegjësitë komunale që kanë në komunë, mirëpo nuk shoh rreziqe tjera”, tha ai përcjell Telegrafi.
Haradinaj thotë se AAK e ka kundërshtuar Asociacionin deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata e ka kornizuar se si do të jetë Asociacioni. Ne pas asaj dite nuk kemi kundërshtuar pasi kemi thënë se Asociacioni duhet të bëhet sipas vendimit të Gjykatës. Të dalësh kundër vendimit të Gjykatës është sikurse të dalësh kundër vendit tënd”, deklaroi tutje Haradinaj./Telegrafi/