Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj ka mohuar që ka bastisje në shtëpinë e tij. Përveç bastisjes në shtëpinë e Jakup Krasniqit, është folur edhe për një bastisje të mundshme të hetuesve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar edhe në shtëpinë e Azem Syles, Rexhep Selimit dhe Daut Haradinajt.
Ky i fundit ka mohuar përmes telefonit se është duke ndodhur një gjë e tillë në shtëpinë e tij.
“Nuk ka asgjë, kur të ketë diçka e shohim të gjithë”, ka deklaruar ai për KosovaPress.
Ndërkaq, KosovaPress ka tentuar të komunikojë edhe me Rexhep Selimin nga Lëvizja Vetëvendosje, por që i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Megjithatë KosovaPress mëson se as në shtëpinë e Rexhep Selimit nuk janë duke u kryer bastisje.
Mëngjesin e sotëm, pjesëtarët e EULEX-it po qëndrojnë në oborrin e familjes Krasniqi edhe në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, që është edhe vendlindja e Jakup Krasniqit, shtëpia e së cilit po bastiset sot në Prishtinë.