Site icon Telegrafi

Haradinaj: Mogherini ndihej në borxh ndaj Serbisë e Rusisë – ofendoi popullin e Kosovës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ish-ndërmjetësuesja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Frederica Mogherini ndihej në borxh ndaj Serbisë e Rusisë, përderisa pagën e merrte nga BE.

Ai ka thënë se Mogherini e ka trajtuar shumë keq Kosovën gjatë drejtimit të saj.

“Mogherini më shumë është ndier në borxh ndaj Serbisë e Rusisë, sesa ndaj BE-së që ia ka dhanë pagën, e SHBA-së. Kam pas dyshime në plot nivele që diçka është kah zihet në ato negociatat e fshehtë. Përveç dyshimeve, ka pas informacione se po bisedohet për një marrëveshje për shkëmbime territoriale”, ka thënë Haradinaj në RTV 21.

Ai është shprehur se Mogherini e ka ofenduar Kosovën, duke e anuluar një konferencë kur ishte kryeministër.

“Mogherini e ka ofenduar Kosovën, sepse ia ka anuluar kryeministrit Haradinaj konferencën e paralajmëruar me protokoll, sepse unë e kam kërkuar SHBA në tavolinë. Sot SHBA e kemi në dialog, BE nuk e ka menaxhuar rolin e vet në këtë dialog. BE sot i ka në proces të dialogut dy zyrtarë që vinë nga vende që nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur”, ka thënë ai.

Haradinaj ka theksuar se BE duhet të angazhohen më shumë rreth këtij procesi.

“Nuk e kuptoj si mund të na ndihmojë Berlini e Franca, kur nuk angazhojnë njerëz të afërt të tyre në parlament. Presidenti Trump e bëri, e emëroi ambasadorin Grenell”, ka theksuar Haradinaj.

Ai ka thënë se nuk beson që ka rrezik nga ndarja pas vitit 2018, pasi që ideja nuk ka më përkrahje.

Exit mobile version