Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë kryeministri Albin Kurti ka mbrojtur njeriun e korruptuar e jo prokurorin.
Haradinaj gjatë seancës parlamentare ku po diskutohet për arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka theksuar se Kurti është shefi i të korruptuarve.
“Albin Kurti personalisht ka intervistuar anëtarë të bordit, ku ka interesa financiare është e pa mundur të intervistohet pa Albin Kurtin”, ka thënë Haradinaj.
“Ju mund të thoni që Albin Kurti nuk është i korruptuar, por është shefi i të korruptuarve, pra është krijuesi i korrupsionit të modelit lidhje e shkurt. Ai ka shprehur mosbesim në të gjithë të tjerët dhe ka besuar që dostat e tij janë të pakorruptuar”, shtoi ai.
Sipas tij, Kurti është i shantazhuar siç i ka quajtur ai, prej dostave.
“Kryeministri ka mbrojtur njeriun e korruptuar e jo prokurorin, sepse është i shantazhuar prej dostave. Kjo sjellje e tregon të gjithë kupolën e korrupsionit. Unë besoj shumë se këta njerëz e kanë një zor të madh, e që vjen në këtë foltore e mbron të korruptuarin, e ka një zor të madh. Kryeministër bëhu me ligjin dhe me prokurorin”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/