Site icon Telegrafi

Haradinaj jep detaje të planit franko-gjerman: Në thelb është njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka dhënë detaje nga takimi që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku u diskutua për planin franko-gjerman për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Haradinaj thotë se në takim me kryeministrin Kurti e ka lexuar marrëveshjen, të cilën ia ka ofruar Kurti.

“Së fundmi e kam dëgju prej kryeministrit Kurti, e kem lexu aty. Me Ardianin [Gjinin] kemi qenë bashkë, të dy e kemi lexu. Nja një orë jemi marrë me to. E kam lexuar rresht për rresht”, tha ai.

Kreu i AAK-së tha se ky draft është i ndarë në disa kapituj që janë marrë prej Kartës së OKB-së, ku këta kapituj i rregullojnë marrëdhëniet mes shteteve.

Haradinaj po ashtu ka thënë se plani franko-gjerman përfshin edhe faktorin amerikan dhe fuqi të tjera perëndimore, ku sipas tij këtë marrëveshje SHBA ia heq Kosovës varshmërinë nga Serbia në aspekt shumëdimensional.

“Është mirë me qenë nënshkrimi amerikan në marrëveshje. Unë supozoj që duhet të jetë nënshkrimi, të paktën i Sekretarit amerikan të Shtetit, në këtë marrëveshje. Kjo është garancia që i duhet marrëveshjes”, ka thënë ai, për T7.

Tutje, ai tregoi se kjo marrëveshje flet për njohjen dhe për të drejtat e komuniteteve, siç thotë është rasti i Asociacionit dhe Kishës serbe.

“Kjo marrëveshje shkon ku duhet, pra prek në thelb, marrëdhëniet mes shteteve të pavarura, secila në të drejtat që i ka, pra flet për dy subjekte ndërkombëtare me të drejta të barabarta, pra është njohja në plotni në kapitullin 2. Ka po ashtu obligimin që mos me të pengu në perspektivën në anëtarësim e këto, por i ka edhe ato që i dimë, të drejtat e komuniteteve, si rasti i Asociacionit, si Kishës Serbe, janë pjesë e marrëveshjes në kapituj”, tha Haradinaj.

Haradinaj thotë se kjo marrëveshje mund të ratifikohet edhe brenda këtij viti dhe po ashtu ekziston mundësia që kjo marrëveshje të bartet në Uashington. Por, kreu i AAK-së tha se sido që të jetë, në marrëveshje do të jetë edhe prezenca e lartë amerikane.

Exit mobile version