Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim Ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.
Haradinaj ka thënë se ambasadorin Hovenier e ka falënderuar për angazhimin e tij dhe të ShBA-ve për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.
“E konfirmova qëndrimin e Aleancës në mbështetje të Planit Franko-Gjerman duke theksuar se ky plan duhet që Kosovës t’i mundësojë rrugën e njohjes nga Serbia, anëtarësimin në NATO dhe organizatat tjera ndërkombëtare”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, transmeton Telegrafi.
Ndryshe, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë të enjten se draft-statuti që i është propozuar Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
“Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Nuk duhet të kërkohen ndryshime kushtetuese. Duhet të jetë në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk duhet të ketë nivel shtesë të pushtetit. Ne besojmë se ky draft, që i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbush të gjitha këto kritere, dhe besojmë se është shkruar në një mënyrë që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë ai
Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
“Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të”.
Ndërsa, Haradinaj duke folur edhe për takimet e fundit në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, ditë më parë ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka vendosur Kosovën në pozicionin e duhur, transmeton Telegrafi.
“Kurti e vendosi Kosovën në pozicionin e duhur. BE duhet t’i heq sanksionet. Qeveria ka marrë vendim për zbatimin e marrëveshjes, prandaj duhet BE t’i heqë sanksionet. Besoj presidenti francez ndjehet mirë, Kosova e ka mbajtur fjalën”, pohoi ai, në seancën e Kuvendit. /Telegrafi/