Telegrafi

Haradinaj apel aleatëve të Kosovës: Mbështetni avancimin e vendit tonë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova sot është në agjendën e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila shqyrton avancimin e statusit të vendit tonë në këtë organizatë.

Haradinaj ka apeluar tek aleatët që të mbështesin avancimin e Kosovës në këtë organizatë.

“Vendi ynë sot synon ta avancojë statutin nga vëzhgues në anëtar të asocuar të kësaj organizate. Apeloj tek aleatët tanë që ta mbështesin avancimin e Kosovës në këtë organizatë, që do të ishte një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë”, ka shkruar Haradinaj.

I pari i AAK-së ka shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është jetik.

“Qeveritë vijnë e shkojnë por anëtarësimi i Kosovës në NATO është jetik, që të kthehemi në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit aktiv, me ushtritë e botës demokratike të udhëhequr nga Amerika”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. /Telegrafi/