Site icon Telegrafi

Hapet “Startup Bootcamp” në Prizren, një rrugë e re për ndërmarrësit premtues

Aktiviteti edukativ tre-ditor “Startup Bootcamp” i krijuar nga Makerspace Innovation Center Prizren për të avancuar idetë e biznesit të pjesëmarrësve është hapur të premten në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.

Sipas organizatorëve, ky aktivitet ka për qëllim që ti përkrah pjesëmarrësit përkatësisht ndërmarrësit e rinj drejt transformimit të ideve të tyre në koncepte të strukturuara dhe të qëndrueshme.

Në ceremoninë e hapjes së “Startup Bootcamp” është potencuar rëndësia e ndërmarrësisë dhe shpikjeve inovative në epokën e Inteligjencës Artificiale.

“Në kontekstin kohor që jetojmë me zhvillimin e Inteligjencës Artificiale dhe në një botë që shpejtë po ndryshon është shumë e rëndësishme që të rinjtë e vendit tonë me shpik dhe me ardhë me zgjidhje të përshtatshme për botën ashtu që Kosova me promovu fuqinë e vet nëpërmjet mendjes”, ka thënë Enis Qafëleshi nga Makerspace Innovation Center Prizren.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka vlerësuar se Makerspace Innovation Center Prizren në saje të programeve të kësaj natyre është shndërruar në akademi për të rinjtë e Komunës së Prizrenit dhe të rajonit.

“Nëse ka programe që Komuna e Prizrenit bashkë me partnerë i mbështet, e këto programe pastaj sjellin suksese, kanë produkt, janë pikërisht programet e tilla të Makerspace-it”, ka thënë Gashi, duke uruar që secili pjesëmarrës të përfitoj nga “Startup Bootcamp”.

Ndërkaq Denis Daut nga ITP Prizren ka theksuar se vizioni i këtij parku është që të promovojë inovacionin, biznesin dhe zhvillimin e aftësive, për të qenë burim i ideve inovative dhe të suksesshme në Kosovë e rajon. Lidhur me këtë aspekt ai ka ndarë edhe informata për aktivitetet që realizohen në këtë park.

Koordinatorja e Projektit për Ndërmarrësi në Makerspace Innovation Center Prizren, Gentiana Gashi ka bërë të ditur se gjatë këtij aktiviteti, përqendrim të veçantë kanë punëtoritë, që udhëhiqen nga mentorët dhe ekspertët e industrisë, duke siguruar një përvojë gjithëpërfshirëse dhe ndërvepruese për pjesëmarrësit, që me vlerësimet dhe udhëzimet e personalizuara mund ti zhvillojnë edhe më tej idetë e tyre të biznesit.

Pjesëmarrësja Tringa Ibrahimi ka theksuar se është përfshirë në këtë aktivitet me qëllim që të merr udhëzime dhe përvoja nga mentorët për fushën e teknologjisë së gjelbër për të avancuar startupin për shportat e mençura.

Në fund të ditës së tretë të këtij aktiviteti do të hapet thirrja për edicionin e radhës së programit për biznese startup “Idea-to-Scale”.

“Startup Bootcamp” implementohet nga Makerspace Innovation Center Prizren dhe mbështetet nga GIZ Kosovo, ITP Prizren dhe Komuna e Prizrenit. /Telegrafi/

Exit mobile version