Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka folur për tre nga lojtarët kryesor të Barcelonës, të cilët janë jashtë fushave shkaku i lëndimeve.
Pedri, Gavi dhe Frenkie de Jong janë të gjithë të lënduar dhe në konferencën për shtyp, trajneri Flick ka dhënë një përditësim rreth situatës së tyre para ndeshjes se kësaj jave kundër Valencias.
“Pedri është një lojtar i veçantë dhe ai vetë e ndryshon ekipin. Ndoshta ai do të jetë një opsion për pjesën e dytë dhe jam i sigurt se ai mund të na ndihmojë shumë”, ka thënë fillimisht Flick.
Ndërsa Pedri është plotësisht i shëruar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për De Jong, i cili është zhdukur prej katër muajsh.
“Ne nuk e dimë se kur De Jong do të kthehet, ai është ende i lënduar dhe ne jemi duke pritur. Ne nuk duam ta nxitojmë”.
Megjithatë, trajneri i ri i Barçës kishte një lajm të mirë për të ndarë për Gavin.
“Jam i lumtur që shoh Gavin në fushë. Ai po përparon mirë, por i duhet kohë”, përfundoi trajneri i Barcelonës.
Për shkak të lëndimeve, Ilkay Gundogan është i vetmi mesfushor elitar i disponueshëm për ndeshjen kundër Valencias.
Barça gjithashtu po përpiqet të regjistrojë të gjithë lojtarët e saj për ndeshjen e parë në La Liga. /Telegrafi/