Site icon Telegrafi

Hamasi publikon emrat e pengjeve që do të lirohen në shkëmbimin e radhës

Hamasi ka emëruar katër pengje që do të lirohen të shtunën sipas marrëveshjes së armëpushimit të Gazës.

Thuhet se ata janë ushtarët Karina Ariev, Daniella Gilboa, Naama Levy dhe Liri Albag.

Bëhet e ditur se pengjet do të lirohen në këmbim të 180 të burgosurve palestinezë të mbajtur në Izrael.

Ky do të jetë shkëmbimi i dytë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të dielën e kaluar – me tre pengje dhe 90 të burgosur që u liruan në shkëmbimin e parë.

Hamasi pritet gjithashtu të japë informacion për 26 pengjet e mbetura që do të lirohen gjatë pesë javëve të ardhshme, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Këtu përfshihet edhe familja Bibas – dy prindër dhe dy fëmijë, njëri prej të cilëve, Kfir, ishte 10 muajsh kur u kap rob dhe është pengu më i vogël.

Por, është e paqartë nëse ky informacion do të përfshijë emrat apo vetëm numrin e pengjeve të gjallë apo të vdekur.

Raportohet se të burgosurit që do të lirohen janë të një kategorie më të rëndë se të liruarit në shkëmbimin e parë.

Ata do të përfshijnë ata që kanë vrarë, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënime me më shumë se 15 vjet.

Ndërsa Izraeli ka këmbëngulur se askush që ishte i përfshirë në sulmet e 7 tetorit nuk do të lirohet.

Ndryshe, marrëveshja e armëpushimit u arrit pas muajsh negociatash indirekte midis Izraelit dhe Hamasit, të udhëhequra nga SHBA, Katari dhe Egjipti.

Ai do të zbatohet në tre faza, me fazën e dytë që do të fillojë gjashtë javë pas armëpushimit.

Rreth 1900 të burgosur palestinezë do të lirohen gjatë fazës së parë në këmbim të 33 pengjeve.

Forcat izraelite gjithashtu do të fillojnë të tërhiqen nga pozicionet në Gaza dhe qindra mijëra palestinezë të zhvendosur do të jenë në gjendje të kthehen në zonat nga të cilat kishin ikur ose ishin detyruar të largoheshin. /Telegrafi/

Exit mobile version