Site icon Telegrafi

Hamasi paralajmëron banorët e qytetit izraelit: Largohuni para orës 17:00

Një zëdhënës i Hamasit të martën lëshoi një paralajmërim për banorët e qytetit jugor izraelit të Ashkelon që të largohen nga qyteti para orës 17:00, sipas kohës lokale.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, paralajmërimi është në përgjigje të “krimit të zhvendosjes së njerëzve tanë dhe detyrimit të tyre të largohen nga shtëpitë e tyre” në Rripin e Gazës, citohet të ketë thënë zëdhënësi.

Megjithatë, nuk jepen detaje të tjera në deklaratën, e cila u nda nga Hamasi në Telegram, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Gazetari i BBC sjell detaje dhe pamje – thotë se ishte “nata më e vështirë në 20 vitet e raportimit nga Gaza”

Po sipas mediumit në fjalë, më shumë se 1000 njerëz u vranë në një sulm të Hamasit ndaj Izraelit gjatë fundjavës, sipas ambasadës izraelite në SHBA.

Numri i të vdekurve tani është 1,008, me të paktën 3,418 të plagosur, tha ambasada në X, platforma e mediave sociale e njohur më parë si Twitter.

Ndërkohë sirenat e sulmit ajror që paralajmëronin për një sulm me raketa kanë rënë në të gjithë zonën në veri të Rripit të Gazës pasditen e së martës, duke bërë që banorët dhe vizitorët të nxitojnë drejt strehimoreve.

Menjëherë pas sirenave, disa zhurma të forta mund të dëgjoheshin në Ashdod, teksa raketat e lëshuara nga Gaza po “kapeshin” nga sistemi mbrojtës Iron Dome i Izraelit. /Telegrafi/

Exit mobile version