Njerëzit e Hamasit në Rripin e Gazës kanë ekzekutuar pesë palestinezë të dielën, dy prej tyre me akuza për spiunazh për Izraelin që datonin nga 2015 dhe 2009, tha Ministria e Brendshme.
Sipas Reuters, përcjell Telegrafi, ekzekutimet, me varje ose pushkatim, ishin të parat në territoret palestineze që nga viti 2017.
Rastet e mëparshme të dënimit me vdekje të kryera në Gaza kanë tërhequr kritika nga grupet e të drejtave të njeriut.
Siç thekson Reuters, deklarata e ministrisë nuk jepte emrat e plotë për asnjë nga të dënuarit.
Ajo tha vetëm se tre ishin dënuar për vrasje.
Dy spiunët e dënuar, të moshës 44 dhe 54 vjeç, i kishin dhënë Izraelit informacione që çuan në vrasjen e palestinezëve, theksoi ajo.
Grupet palestineze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë dënuar dënimin me vdekje dhe i kanë kërkuar Hamasit dhe Autoritetit Palestinez, i cili ushtron një vetëqeverisje të kufizuar në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, t’i japin fund praktikës.
Ligji palestinez thotë se presidenti Mahmoud Abbas ka fjalën e fundit nëse mund të kryhen ekzekutime. Por ai nuk ka një sundim efektiv në Gaza.
Që kur Hamasi mori kontrollin e Gazës nga Abbasi në vitin 2007, gjykatat e tij kanë dënuar dhjetëra palestinezë me vdekje dhe kanë ekzekutuar 27 deri më tani, sipas grupeve të të drejtave të njeriut. /Telegrafi/