Telegrafi

Haliti komenton deklaratat e VV-së për luftë: Po e frikësojnë popullin dhe investitorët e huaj

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka kritikuar deklaratat e krerëve të shtetit për rrezikun nga Serbia, duke thënë se ato po krijojnë frikë në popull dhe po pengojnë ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë.

Haliti ka theksuar se kur dëgjon deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, kryekuvendarit Glauk Konjufca dhe të tjerëve, krijohet përshtypja se forcat serbe janë gati për të sulmuar Kosovën në çdo moment.

“Kësaj që është bërë trend me thënë jemi të rrezikuar shumë, të krijohet përshtypja se i kanë vendosur forcat dhe presin vetëm urdhrin për me u nis për Kosovë. Unë mendoj që me deklarata të tilla, ne po frikësojmë popullin, po i frikësojmë investitorët e huaj për të ardhur në Kosovë, po i frikësojmë investitorët vendorë, diasporën. Dhe po i joshim rininë, njerëzit që të ikin prej Kosove sepse siç e dimë për luftë, në qoftë se ka frikë për luftë njerëzit ikin dhe i lënë vetëm ushtarët me luftu”, ka thënë Haliti në emisionin “FIVE” të Dukagjinit.

Lexo po ashtu Konjufca pas takimit me Nussbaumer: Serbia mund të përsërisë skenarin e Banjskës, por me përmasa më të mëdha

Sipas Halitit, Serbia nuk mund ta sulmojë Kosovën ushtarakisht, ndërkaq, Policia Kosovës e ka bërë një punë të mirë në veri duke luftuar bandat kriminale.

“Sa kam pasur mundësi me pa situatën në veri, mendoj që Policia edhe pse me agresivitet ndonjëherë ka punuar shumë që bazat e armatimit sekret që kanë qenë nëpër zona të caktuar ti dekonspiroj, ti merr dhe ti ekspozojë publikisht një pjesë. Mendoj që Serbia nuk mund të ndërhyjë ushtarakisht Kosovë, nëse nuk ka ndonjë situatë që agravon problem në veri të vendit. Dhe për të sulmuar gjoja në mbrojte të popullatës serbe atje. Në Kosovë nuk ka ndonjë orientim të tilla, që të bëhet terrorist kundër popullatës serbe në veri”, ka shtuar Haliti. /Dukagjini/