Site icon Telegrafi

Halimi flet për ndeshjen me Suedinë: Do të jetë vështirë, por ne jemi të gatshëm

Përfaqësuesja e Kosovës po zhvillon përgatitjet e fundit para ndeshjes së rëndësishme me Suedinë në “Fadil Vokrri”. 

Dardanët do t’a fillojnë rrugëtimin e kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, të dielën në ora 20:45.

Ky duel vjen pas fitores së thellë prej 4-0 në miqësoren ndaj Lituanisë, e cila i ka motivuar shumë djelmoshat e Përfaqësueses.

I motivuar për këtë ndeshje me Suedinë është edhe Besar Halimi, i cili në një intervistë për FFK-në u shpreh se është ndeshje e vështirë por thekson se dardanët janë të gatshëm për këtë duel.

“Besoj se jemi të përgatitur dhe të gatshëm për Suedinë. Besoj se do të jetë ndeshje e vështirë, Suedia ka një skuadër me disa super yje që luajnë për top klube të Evropës, por ne jemi të gatshëm për Suedinë dhe shpresoj që e bëjmë një fitore për Dardanët”, tha Halimi.

Ai gjithashtu theksoi se koha ka qenë e vështirë por janë të gatshëm. Halimi foli edhe për mungesën e madhe të Dardanëve.

“Përgatitjet po shkojnë mirë, koha ka qenë e vështirë, nuk ka qenë 100% optimale por jemi të gatshëm”.

“Normal na mungojnë Dardanët, por janë gjithmonë afër nesh dhe na përkrahin gjithmonë dhe shpresoj që e arritim një fitore për ta”, përfundoi mesfushori, Besar Halimi.

Halimi gjatë këtij sezoni në 12 paraqitje për ekipin e tij SV Saundhausen ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asistim.

/Telegrafi/

Exit mobile version