Site icon Telegrafi

‘Haaland do të thyejë rekorde, por vetëm Messi mund ta fitojë vet ligën’ – Aguero tregon veçantinë e superyllit argjentinas

(Foto: Getty/Goal)

Sergio Aguero beson se Erling Haaland do të vazhdojë të thyejë rekorde në futboll, por e ka paralajmëruar sulmuesin e Manchester Cityt se vetëm Lionel Messi mund ta fitojë vet ligën.

Futbollisti norvegjez është në formë fantastike duke shënuar 31 gola në 27 paraqitje për klubin anglez, megjithatë ish-futbollisti argjentinas mendon se atij i nevojitet mbështetje nga bashkëlojtarët për të pasur sukses.

Në një intervistë për Stake.com, golashënuesi më i mirë në histori të Cityt është pyetur nëse Haaland mund ta frymëzojë skuadrën drejt fitimit të titullit të Ligës Premier.

(Foto: Getty/Goal)

“Duhet të presim dhe ta shohim këtë. Sezoni është akoma i gjatë. Haaland, i cili i ka parametrat se do të thyejë rekorde historike, do të luajë një rol të madh në të (fitimin e titullit)”.

Lexo po ashtu Lista me lojtarët më të mirë për vitin 2022 nga The Guardian - Messi renditet i pari, ndërsa Ronaldo përfundon shumë poshtë
(Foto: Getty/Goal)

“Në çdo rast, përveç Leos (Messit), nuk ka futbollist tjetër që mund ta fitojë vet një kampionat. Ka të bëjë me skuadrën, ndërsa City ka një listë të madhe talentësh dhe një staf të jashtëzakonshëm. Ata kanë dhënë shumë dëshmi për qëndrimin e tyre madhështor dhe e dini se do të luftojnë deri në fund”, është shprehur Aguero.

Manchester City është në pozitën e dytë në tabelën e Ligës Premier me pesë pikë prapa liderit Arsenal (që ka një ndeshje më pak të zhvilluar). /Telegrafi/

Exit mobile version