Një grua 21-vjeçare ka mbetur e vrarë, kurse vëllai i saj 15-vjeçar ka mbetur i plagosur pasditen e 12 prillit nga të shtënat me armë zjarri në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, pasi dyshohet se në drejtim të tyre ka shtënë ish-bashkëshorti i viktimës.
Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt, duke dhënë informata shtesë për ngjarjen e rëndë, ka njoftuar se gruaja, e identifikuar me inciale, E.C, 21 vjeçe, ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërkaq është plagosur edhe D.C, 15 vjeç, pasi në drejtim të tyre ka shtënë me armë zjarri V.A. 36 vjeç.
“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri. Patrullat e policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes të cilët kanë mësuar se një person brenda Qendrës për Punë Sociale në katin I-rë ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy personave dhe për pasoj një person E.C. e moshës 21 vjeçare ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj është konfirmuar nga mjekët kujdestar në vendin e ngjarjes. Ndërsa, plagë trupore ka pësuar personi D.C. i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën, kurse i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Telegrafi.
Më tej thuhet se “ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A. i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”.
Sipas Policisë, hetuesit dhe krim teknikët rajonal janë në vendin e ngjarjes, të cilët janë duke e ekzaminuar vendin e ngjarjes, ndërsa për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka dalë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. /Telegrafi/