Site icon Telegrafi

Grevë e përgjithshme në Serbi, Vuçiq themelon një lëvizje të re

Në të gjithë Serbinë është duke u mbajtur të premten një grevë e përgjithshme, teksa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

Në mbajtjen e grevës së përgjithshme, qytetarët janë ftuar nga studentët, të cilët për më shumë se dy muaj bllokojnë fakultetet, duke kërkuar përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad, më 1 nëntor.

Gjatë protestave, mediat kanë raportuar se një vajzë është lënduar kur një makinë ka goditur një grup studentësh dhe qytetarësh në Novi Beograd. Ajo është dërguar në një qendër të emergjencës për trajtim mjekësor.

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se është arrestuar shoferja e cila me makinë ka goditur vajzën gjatë protestës.

Më pas, me urdhër të prokurorit, M.S, 25 vjeçe, është dërguar në paraburgim për 48 orë për shkak të dyshimeve se ajo ka kryer veprën “vrasje e rëndë në tentativë”.

Greva e përgjithshme ose “mosbindja e përgjithshme civile”, siç e quajnë studentët ndryshe, nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe të çdo aktiviteti tjetër të përditshëm, si: shkuarja në dyqane apo restorante, kinema, teatër e të tjera.

Studentët u kanë sugjeruar punonjësve që kanë frikë nga reagimi i punëdhënësve të tyre, “të marrin ditë pushimi, të marrin pushim mjekësor ose të dhurojnë gjak”.

Më shumë se 200 kompani kanë konfirmuar më herët se do t’i pezullojnë operacionet, në solidaritet me studentët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Mbështetje për studentët kanë ofruar figura të shumta publike, aktorë, këngëtarë, sportistë, punonjës të medias, si dhe individë nga profesione të tjera, si avokatë, gjyqtarë, prokurorë, mjekë, edukatorë, e po ashtu edhe politikanë të opozitës në Serbi.

Në të njëjtën ditë që po mbahet greva e përgjithshme, presidenti i Serbisë, Vuçiq gjatë tubimit në Jagodinë – qytet në Serbinë qendrore – njoftoi për themelimin e “lëvizjes për popullin dhe shtetin”.

“Të gjithë jeni të mirëpritur në lëvizje, në lëvizjen për ndryshimet e mëdha”, tha Vuçiq.

Sipas tij, arsyeja e formimit të kësaj lëvizjeje është se ka gjëra me të cilat ai nuk është i kënaqur.

Kësaj lëvizjeje, ai ka thënë se mund t’i bashkohen të gjithë, pavarësisht përkatësisë partiake.

Në tubimin në Jagodinë morën pjesë mijëra mbështetës të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe, dhe partnerëve të koalicionit.

Autoritetet në Serbi pretendojnë se në organizimin e protestave të studentëve janë të përfshira shërbimet e huaja të inteligjencës dhe se mes studentëve ka “mercenarë të huaj”.

Sipas tyre, këtë e dëshmon fakti se bllokadat e studentëve nuk ndalen, edhe pse kërkesat e tyre janë plotësuar – gjë që hidhet poshtë nga studentët.

Edhe gjatë adresimit në Jagodinë, Vuçiq pretendoi, pa ofruar dëshmi, se Serbia po sulmohet “nga jashtë dhe brenda”.

Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.

Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.

Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.

Exit mobile version